Në Lezhë u zhvilluan aktivitetet përkujtimore në nder të 558-vjetorit të ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ceremonia nisi me homazhe pranë vendit ku prehet heroi, ku autoritetet vendore, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe deputetë të Partisë Socialiste vendosën kurora me lule.
Gjatë homazheve, të pranishmit nderuan figurën dhe kontributin historik të Skënderbeut, duke theksuar rolin e tij të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare shqiptare.
Aktivitetet përkujtimore kanë si qëllim të shërbejnë si një moment reflektimi mbi trashëgiminë që Skënderbeu ka lënë brezave dhe rëndësinë e ruajtjes së saj në kohët e sotme.
Gjergj Kastrioti, ishte një udhëheqës ushtarak dhe politik shqiptar, i cili udhëhoqi luftën kundër Perandorisë Osmane në shekullin XV.
Ai konsiderohet Hero Kombëtar i Shqipërisë për rolin e tij në mbrojtjen e identitetit dhe lirisë së popullit shqiptar, duke bashkuar principatat e ndryshme shqiptare për të mbrojtur tokat e tyre dhe trashëgiminë kulturore./mxh
