Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, mbrojti sot negociatat e qeverisë së tij me Izraelin, duke i cilësuar ato si “rruga më e shpejtë dhe më pak e kushtueshme” për vendin, pasi bisedimet çuan në një nismë të re armëpushimi që u refuzua menjëherë nga Hezbollah.
Negociatat libanezo-izraelite rezultuan gjatë natës në një marrëveshje të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, e cila synon t’i japë fund përplasjeve mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani, si dhe të hapë rrugën për çarmatimin e tij.
Në një deklaratë të publikuar nga zyra e tij, Salam tha se negociatat përfaqësojnë alternativën më të mirë për popullin libanez.
“Ne mund të kishim qëndruar duarkryq përballë një realiteti dhe një lufte që nuk e zgjodhëm, por kjo nuk ishte asnjëherë një mundësi”, tha ai, duke i përshkruar bisedimet si të vështira dhe qëndrimin izraelit si “të ashpër”.
Sipas marrëveshjes së shpallur të mërnë Washington, militantët e Hezbollahut do të çarmatoseshin.
Salam theksoi se parimi i monopolit të shtetit mbi armët ishte vendosur tashmë pas përfundimit të luftës civile në fillim të viteve 1990 dhe se Libani nuk duhet të humbasë një tjetër mundësi për ta zbatuar atë.
Si hap të ardhshëm, ai njoftoi vendosjen graduale të ushtrisë libaneze në jug të vendit, duke paralajmëruar se çdo vonesë do të ishte në dëm të rajonit dhe banorëve të tij.
Megjithatë, Hezbollah e hodhi poshtë marrëveshjen. Sekretari i Përgjithshëm i grupit, Naim Qassem, i cilësoi negociatat e drejtpërdrejta si një “farsë” dhe një “poshtërim”. Ai deklaroi se grupi nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që ka në qendër çarmatimin e tij.
Hezbollah këmbëngul se çdo marrëveshje duhet të përqendrohet në një armëpushim të plotë dhe në tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga territori libanez./mxh
