Komisioneri i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë, Philippe Lazzarini, deklaroi të martën (31 mars) se ligji i miratuar nga parlamenti izraelit që rikthen dënimin me vdekje do të ishte diskriminues dhe shprehu shpresën që Gjykata Supreme e Izraelit do ta bllokojë atë.
“S’jam i vetëdijshëm për ndonjë vend demokratik që ka rivendosur dënimin me vdekje. Jemi më të mësuar që vendet ta heqin këtë masë. Për më tepër, ky ligj do të ishte jashtëzakonisht diskriminues, sepse synon vetëm një kategori të popullsisë,” tha Lazzarini nga Gjeneva, Zvicër.
Ligji, i miratuar të hënën (30 mars), parashikon dënimin me vdekje për palestinezët të dënuar nga gjykatat ushtarake për sulme vdekjeprurëse, duke përmbushur premtimin e aleatëve të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Kritikët theksojnë se ligji nuk do të aplikohet për izraelitët hebrenj që kryejnë krime të ngjashme, duke bërë që ligji të shihet si diskriminues ndaj palestinezëve.
Ky ligj ka nxitur kritika ndërkombëtare ndaj Izraelit, i cili tashmë po vihet nën vëzhgim për rritjen e dhunës së kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe për luftën në Gaza.
Izraeli e kishte hequr dënimin me vdekje për vrasje në vitin 1954, ndërsa personi i vetëm i ekzekutuar pas një gjyqi civil ishte Adolf Eichmann në vitin 1962./mxh
