Last Updated on 11/12/2025 by Kesjana
Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, ka bërë daljen e saj të parë publike pas muajsh të tërë në fshehje, duke u shfaqur në Oslo për të marrë Çmimin Nobel për Paqe.
Machado, e cila prej janarit nuk ishte parë publikisht, u shfaq në mes të natës nga ballkoni i Grand Hotel në kryeqytetin norvegjez, ku përshëndeti mbështetësit e shumtë që e prisnin me brohoritje. Në një moment emocionues, ajo doli jashtë hotelit, kaloi barrikadat e sigurisë dhe u takua nga afër me turmën.
BBC shkruan se 58-vjeçarja mori rrugën drejt Norvegjisë fshehtas, pavarësisht ndalimit të udhëtimit dhe kërcënimeve të qeverisë së Nicolás Maduro se do të shpallej e arratisur. Sipas raportimeve, udhëtimi i saj përfshiu kalimin e dhjetë pikave ushtarake dhe largimin me një varkë druri nga një fshat peshkimi.
Instituti Nobel e nderoi Machado-n me Çmimin e Paqes për “luftën e saj për një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”. Çmimi u pranua zyrtarisht nga vajza e saj, Ana Corina Sosa, ndërsa Machado arriti në Oslo vetëm pak orë më vonë.
Machado ka qenë e ndaluar të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, të cilat u fituan nga Maduro mes akuzave për manipulim dhe mungesë transparence. Ajo ka vazhduar të mbështesë kandidatin opozitar Edmundo González, i cili sipas rezultateve të qendrave të votimit kishte fituar bindshëm.
Qeveria venezueliane e ka kërcënuar vazhdimisht Machado-n me arrestim, duke e akuzuar për “konspiracion, nxitje urrejtjeje dhe terrorizëm”. Megjithatë, Machado deklaroi se ajo dhe ekipi i saj janë gati të formojnë një qeveri të re dhe se i ka ofruar palës së Maduros një tranzicion paqësor, por “ata e refuzuan”.
Kryetari i Komitetit Nobel Norvegjez, Jorgen Watne Frydnes, e përshkroi udhëtimin e saj drejt Oslos si “një situatë me rrezik ekstrem” dhe tha se përgjegjësia për një tranzicion paqësor bie mbi regjimin e Maduros.
Ndërkohë, tensionet mes Venezuelës dhe SHBA-ve janë rritur, pasi administrata Trump njoftoi sekuestrimin e një cisterne nafte pranë brigjeve venezueliane, duke e akuzuar për lidhje me rrjete të paligjshme të transportit të naftës. Qeveria e Maduros e cilësoi veprimin si “pirateri dhe vjedhje”.
Machado, e konsideruar si një nga zërat më të fuqishëm të opozitës, e ka bërë të qartë se nuk do të ndalet, pavarësisht rreziqeve, duke e cilësuar kauzën e saj si një betejë për demokraci dhe liri në Venezuelë./kb
