Analisti Lavdrim Lita ka reaguar publikisht pas një letre të hapur të dërguar nga ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ka kërkuar interesimin e tij për disa çështje me karakter ligjor dhe qytetar që lidhen me trajtimin e tij në burgun 313.
Në reagimin e tij, Lita sqaron se, pavarësisht kritikave të vazhdueshme ndaj figurës politike të Metës, ai mban një qëndrim të qartë në aspektin ligjor. Sipas tij, ish-presidenti mund të gjykohet në gjendje të lirë, pasi nuk përbën rrezik për prishjen e provave – duke qenë se dosja është e mbyllur – si dhe nuk ka indicie për rrezik arratisjeje apo kërcënim të dëshmitarëve.
Më tej, Lita ngre shqetësime për mënyrën se si po trajtohen të drejtat procedurale të Metës në paraburgim. Ai e konsideron të drejtë bazike kërkesën për t’u pajisur me vendimin e Komisionit Disiplinor të burgut 313, duke e cilësuar mungesën e transparencës si të paligjshme dhe si një rast të mundshëm të shpërdorimit të detyrës nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Drejtorinë e Burgjeve dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Një tjetër pikë kritike lidhet me ndalimin e intervistave në media. Lita thekson se kjo masë bie ndesh me të drejtat themelore, sidomos në një situatë kur institucioni i SPAK, nën drejtimin e Altin Dumani, ka dhënë leje për komunikim me mediat. Sipas tij, ndalimi nga ana e Drejtorisë së Burgjeve përbën një shkelje serioze të të drejtave të të burgosurit dhe të qytetarit, duke theksuar se edhe në kushte ekstreme, si në kohë lufte, të drejtat themelore nuk mund të mohohen.
Në fund të reagimit, Lita bën me dije se ka refuzuar ftesën e Metës për të marrë pjesë në një panel debati brenda ambienteve të burgut, duke theksuar se ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe më herët, kur Meta ka qenë në poste të larta shtetërore apo politike.
Reagimi i plotë:
