Në Paris do të mbahet edicioni i tretë i një lotarie të veçantë, ku pjesëmarrësit kanë mundësinë të fitojnë një pikturë origjinale të Pablo Picasso-s me vlerë rreth 1 milion euro, duke blerë një biletë prej vetëm 100 eurosh.
Organizatorja e projektit, Peri Cochin, shpjegon se koncepti është i thjeshtë: një fitues do të marrë veprën e artit “Tête de Femme”, ndërsa të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë për qëllime bamirësie, kryesisht për kërkime kundër sëmundjes së Alzheimerit.
Sipas saj, edhe ata që nuk fitojnë kontribuojnë në një kauzë të rëndësishme, duke ndihmuar në financimin e studimeve për një sëmundje që po bëhet gjithnjë e më e përhapur në shoqëri, për shkak të rritjes së jetëgjatësisë.
Piktura që do të jepet si çmim është një portret i realizuar nga Picasso në vitin 1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe konsiderohet një vepër me vlera të mëdha artistike dhe historike.
Organizatorët kanë bërë të ditur se janë hedhur në shitje deri në 120 mijë bileta, ndërsa një pjesë e të ardhurave do të shkojë për pronarin aktual të veprës, një galeri ndërkombëtare arti.
Fituesi i lotarisë do të shpallet në një ceremoni zyrtare në Paris./mxh
