Padia e kompanisë Anthropic që sfidon vendimin e Pentagonit për ta futur në listë të zezë ka të ngjarë të testojë shtrirjen e një ligji pak të njohur që synon të mbrojë sistemet ushtarake nga sabotimi. Ekspertët ligjorë thonë se laboratori i inteligjencës artificiale duket se ka një rast të fortë se administrata e presidentit Donald Trump ka tejkaluar kompetencat e saj.
Siç shkruan Reuters, Anthropic tha në padinë e paraqitur të hënën se vendimi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve për ta përjashtuar kompaninë nga kontratat ushtarake, duke e cilësuar si rrezik për zinxhirin e furnizimit, ka shkelur të drejtat e saj për lirinë e shprehjes dhe për një proces të rregullt ligjor. Sipas kompanisë, masa kishte për qëllim ta ndëshkonte për qëndrimet e saj mbi sigurinë e inteligjencës artificiale në luftë.
Drejtuesit e kompanisë thanë të martën se ky përcaktim mund të ulë të ardhurat e Anthropic për vitin 2026 me disa miliarda dollarë dhe të dëmtojë reputacionin e saj.
Duke e cilësuar Anthropic si rrezik për zinxhirin e furnizimit, Pentagoni u mbështet në një ligj të përdorur rrallë që i lejon të ndalojë kompani nga kontrata të caktuara nëse ato rrezikojnë të ekspozojnë sistemet e informacionit ushtarak ndaj infiltrimit nga armiku. Sipas një rishikimi të bazave të të dhënave ligjore nga Reuters, ky ligj nuk është testuar kurrë në gjykatë dhe nuk është përdorur më parë kundër një kompanie amerikane.
Gjykatat shpesh i japin përparësi gjykimit të degës ekzekutive në çështjet e sigurisë kombëtare, dhe kjo ka të ngjarë të jetë thelbi i mbrojtjes së qeverisë. Megjithatë, pesë ekspertë të ligjit të sigurisë kombëtare thanë se Pentagoni mund të ketë shkuar përtej kompetencave.
Profesori i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Minesotës, Alan Rozenshtein, tha:
“Nuk është aspak e qartë nëse ky statut mund të zbatohet ndaj një kompanie amerikane kur nuk ka asnjë lidhje me aktorë të huaj.” Departamenti i Mbrojtjes tha se nuk komenton mbi çështje gjyqësore në proces.
Teknologji “e jashtëzakonshme”
Anthropic tha se nuk është një “kundërshtar” i Shteteve të Bashkuara. Në urdhrat ekzekutivë të administratës Trump, kundërshtarë konsiderohen Kina, rusia, Irani, Koreja e Veriut, Kuba dhe Venezuela.
Kompania tha gjithashtu se Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth nuk dha asnjë shpjegim se si mjeti i saj Claude AI përbënte rrezik për zinxhirin e furnizimit, pavarësisht se ushtria amerikane vazhdonte ta përdorte. Madje Hegseth vetë e kishte lavdëruar Claude si një teknologji “të jashtëzakonshme” me të cilën Departamenti i Mbrojtjes “do të donte shumë të punonte”, gjatë një takimi më 24 shkurt me Anthropic.
Sipas raportimeve të Reuters-it, ushtria amerikane e përdori Claude edhe muajin e kaluar gjatë sulmeve ndaj Iranit.
Më 3 mars, Hegseth e shpalli Anthropic rrezik për zinxhirin e furnizimit të sigurisë kombëtare pasi kompania refuzoi të heqë kufizimet në Claude që ndalojnë ushtrinë ta përdorë atë për armë autonome ose mbikëqyrje brenda vendit.
Në një postim në rrjetet sociale më 27 shkurt, Hegseth akuzoi kompaninë se fshihej pas “retorikës shenjtore të ‘altruizmit efektiv’ për të ‘detyruar ushtrinë amerikane të nënshtrohet’.”
Anthropic ka deklaruar se inteligjenca artificiale nuk është ende mjaftueshëm e besueshme për armë autonome dhe se kompania kundërshton mbikëqyrjen e brendshme për arsye parimore. Pentagoni nga ana tjetër ka thënë se kufizimet e Anthropic mund të rrezikojnë jetët e amerikanëve.
“Vëzhgo, moho, prish”
Sipas ligjit amerikan, rreziku i zinxhirit të furnizimit është një kërcënim që një kundërshtar mund të sabotojë, infiltojë ose ndërpresë një sistem apo rrjet federal të teknologjisë së informacionit.
Ligji i përdorur nga Pentagoni, i njohur si Section 3252, i lejon sekretarit të mbrojtjes të përjashtojë kompani nga kontrata të caktuara për të shmangur rrezikun që një kundërshtar të sabotojë ose të fusë funksione keqdashëse në një sistem informacioni ushtarak për ta “vëzhguar, bllokuar, prishur ose degraduar”.
Pentagoni gjithashtu e ka shpallur Anthropic rrezik për zinxhirin e furnizimit edhe sipas një ligji të ngjashëm që mund ta zgjerojë përjashtimin e kontratave edhe në qeverinë civile. Anthropic paraqiti një padi të veçantë kundër këtij vendimi të hënën.
Sipas ligjit, përjashtimi i kompanive duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit, dhe kontraktorët e tjerë të mbrojtjes nuk janë të detyruar të ndërpresin plotësisht bashkëpunimin me to.
Reuters nuk gjeti kompani të tjera që janë shpallur publikisht rrezik për zinxhirin e furnizimit sipas këtij ligji.
Konflikti mes palëve
Eksperti i ligjit të sigurisë kombëtare Amos Toh nga Brennan Center for Justice tha se politikat e përdorimit të Claude nuk duket se krijojnë rrezik për sabotim të huaj.
“Këto janë në thelb protokolle sigurie. Mund të diskutohet nëse janë të pranueshme apo jo, por ato bien drejtpërdrejt në kundërshtim me rrezikun që ligji synon të rregullojë,” tha ai.
Padia e Anthropic argumenton gjithashtu se ky përcaktim e ndëshkon kompaninë për qëndrimet e saj mbi sigurinë e IA-së, duke shkelur Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA-ve, i cili mbron lirinë e shprehjes.
Ekspertët ligjorë thanë se sulmet publike të Trump dhe Hegseth ndaj kompanisë, përfshirë një postim ku Trump e quajti “KOMPANI RADIKALE WOKE E MAJTË”, mund ta forcojnë këtë argument.
Profesori i ligjit në Universitetin Vanderbilt, Joel Dodge, tha:
“Shumë nga gjërat që Hegseth ka thënë dhe që Pentagoni ka bërë e dobësojnë rastin e tyre dhe sugjerojnë se kishte armiqësi personale mes palëve.”
Anthropic argumenton gjithashtu se urdhri i Hegseth shkel Amendamentin e Pestë të Kushtetutës, duke vendosur “dënime drakoniane” pa një proces kuptimplotë, pa gjetje faktike dhe pa mundësi që kompania t’i kundërshtojë.
A mund ta kundërshtojnë gjykatat presidentin?
Gjykatat zakonisht hezitojnë të vënë në pikëpyetje vendimet e agjencive federale, sidomos në çështje të sigurisë kombëtare. Sipas ekspertëve, kjo ka të ngjarë të jetë argumenti kryesor i mbrojtjes së qeverisë.
Avokatët e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve mund të citojnë një seri vendimesh gjyqësore që thonë se gjyqtarët nuk duhet të “rishqyrtojnë” mënyrën se si presidenti dhe ushtria mbrojnë vendin.
Qeveria mund të argumentojë gjithashtu se presidenti dhe kabineti kanë autoritet të gjerë për të zgjedhur furnizuesit, dhe se ushtria nuk mund të mbështetet te një kompani që kufizon veprimet ushtarake.
Avokati i kontratave qeveritare Eric Crusius tha se qeveria po përpiqet të vendosë një “dënim me vdekje” për Anthropic dhe do të duhet të tregojë se nuk kishte alternativë tjetër.
“Vendim arbitrar”
Anthropic tha në padi se vendimi i Hegseth shkel Aktin e Procedurës Administrative, një ligj që lejon gjykatat të rrëzojnë vendime që konsiderohen “arbitrare, kapriçioze ose abuzim me diskrecionin.”
Ekspertët ligjorë thonë se kontradiktat në qëndrimin e qeverisë mund të jenë prova të forta se vendimi ishte arbitrar.
Profesori Alan Rozenshtein tha: “Qeveria njëkohësisht kërcënonte të përdorte Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes për ta detyruar Anthropic të shiste shërbimet e saj, po i përdorte ato në operacione ushtarake aktive dhe njëkohësisht thoshte se janë shumë të rrezikshme për kontrata qeveritare.”
“Jo të gjitha këto gjëra mund të jenë të vërteta njëkohësisht,” shtoi ai./mxh
