Last Updated on 12/06/2026 by EL
Një ditë pasi kërcënoi Iranin me bombardime shumë të forta, presidenti amerikan pretendon se i kishte dhënë fund luftës. Në një prononcim për gazetarët në shtëpinë e bardhë mbrëmjen e së enjtes, Donald Trump njoftoi se një marrëveshje e shkëlqyer ishte finalizuar dhe se mund të firmosej gjatë fundjavës. Sipas Trump, ujdia e privon Iranin nga armët bërthamore. Në një intervistë më vonë, presidenti theksoi se e kishin fituar luftën pa ndihmën e Europës, duke e cilësuar të padobishëm rolin e saj.
Nuk e di nëse e dëgjuar po ne i dhamë fund luftës me Iranin sot. Dhe ata kanë pranuar të mos kenë kurrë armë bërthamore. Diçka për të cilën këmbëngulëm. Ky ishte dhe qëllimi I gjithë kësaj. Ngushtica e Hormuzit do të hapet menjëherë pas nënshkrimit, ndoshta në fundjavë!
I pyetur nëse lideri suprem i Iranit, Ajatollahu Mojtaba Khamenei e ka aprovuar ujdinë, ai tha, me sa kuptonte, po. Megjithatë Irani këmbëngul se një vendim përfundimtar mbi marrëveshjen që do ti jepte fund konfliktit aktual nuk është arritur ende. Sipas zëdhënësit të ministrisë së jashtme Esmail Baghaei raportimet ishin spekulative dhe se asgjë nuk ishte finalizuar. Mediat në Iran shkruajnë se SHBA dhe Irani po bëhen gati të nisin negociatat përfundimtare që do të fokusohen tek çështjet bërthamore dhe ekonomike, duke përjashtuar programin raketor.
Sipas një drafti të memorandumit të mirëkuptimit të parë nga agjencia e shtypit Mehr, parashikohet fundi i bllokadës amerikane në Hormuz, rihapja e ngushticës, heqja e sanksioneve të naftës dhe zhbllokimi i aseteve të ngrira të Iranit. Presidenti amerikan shtoi se kishte biseduar me liderë në rajon, përfshirë aleatë të gjirit dhe kryeministrin Netanjahu, dhe se Lindja e Mesme ishte e lumtur. Kryeministri izraelit sqaroi se Izraeli nuk është pjesë e memorandumit të mirëkuptimit. Në vazhdën e sinjaleve pozitive cmimi I naftës ra në 89 dollarë për fuçi, 4.4 përqind më pak se një ditë më herët./ET
