Last Updated on 18/06/2026 by Kesjana
Macet shpesh konsiderohen si kafshë egoiste, ndryshe nga qentë që njihen për besnikërinë e tyre. Por një studim i ri tregon se e vërteta është pak më ndryshe. Shkencëtarët krahasuan sjelljen e 19 fëmijëve të moshës 16-24 muajsh, 38 qenve dhe 22 maceve për të parë se si reagojnë kur një njeri ka nevojë për ndihmë. Në eksperiment, një person humbiste një objekt që kafsha ose fëmija e kishte parë ku ishte fshehur. Më pas ai kërkonte ndihmë duke thënë me zë të lartë se nuk po e gjente. Rezultatet treguan se qentë dhe fëmijët reagonin pothuajse njësoj: afroheshin te objekti, tregonin vendndodhjen e tij ose e sillnin direkt te personi. Macet, përkundrazi, rrallë ndërhynin. Ato zakonisht nuk afroheshin te objekti, edhe pse në disa raste e sinjalizonin vendndodhjen e tij duke miaukur ose duke parë në drejtimin e duhur. Por studiuesit vendosën të provonin diçka tjetër. Ata zëvendësuan objektin me një lodër të njohur për macet ose me ushqim. Në atë moment, macet filluan të ndihmonin po aq sa qentë dhe fëmijët, sepse e dinin se do të përfitonin diçka në fund. Përfundimi i studimit është se macet nuk janë egoiste. Ato thjesht janë më pragmatike: ndihmojnë kur shohin një përfitim të qartë. Me fjalë të tjera, nuk është se nuk u intereson njeriu, por ato zgjedhin me kujdes kur ia vlen të veprojnë./kb
