Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca po rishikon kuadrin e bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë me Sirinë, pas shpërthimeve që ndodhën të martën në Damask, pranë hotelit ku ishte akomoduar delegacioni francez.
Gjatë një konference të përbashkët me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, Macron shprehu solidaritetin me të plagosurit, si civilë ashtu edhe pjesëtarë të forcave të sigurisë, duke uruar shërimin e tyre sa më të shpejtë.
Presidenti francez tha se vizita ishte organizuar me masa të plota sigurie dhe se autoritetet franceze e siriane kishin qenë të vetëdijshme për rreziqet. Sipas tij, sulmet nuk duhet të pengojnë përpjekjet për rikthimin e Sirisë në komunitetin ndërkombëtar.
Macron ritheksoi angazhimin e Francës në luftën kundër terrorizmit në rajon, duke kujtuar praninë ushtarake franceze në verilindje të Sirisë, si edhe në Jordani dhe Irak. Ai bëri të ditur se Parisi është i gatshëm të vazhdojë mbështetjen për Damaskun, përfshirë edhe përmes forcave speciale, në kuadër të një bashkëpunimi të ri që po hartohet.
Presidenti francez shtoi gjithashtu se Franca është e hapur për partneritete që do të ndihmojnë në pajisjen dhe modernizimin e forcave të armatosura siriane, si pjesë e procesit të riorganizimit të bashkëpunimit mes dy vendeve./mxh
