Maddox Jolie-Pitt ka vendosur të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në identitetin e tij ligjor. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, djali i madh i Angelina Jolie dhe Brad Pitt ka paraqitur dokumentacionin për të hequr zyrtarisht mbiemrin “Pitt” nga emri i tij.
Nëse procedura përfundon me miratim, 24-vjeçari do të njihet ligjërisht si Maddox Chivan Jolie. Ky vendim vjen pasi ai ka nisur prej kohësh të përdorë vetëm mbiemrin e nënës së tij në angazhimet profesionale.
Së fundmi, Maddox u shfaq në kreditet e filmit “Couture”, projekti më i ri i Angelina Jolie, vetëm me emrin “Jolie”. Në këtë produksion ai ishte i angazhuar si ndihmës regjisor. Filmi debutoi në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto në vitin 2025 dhe më pas u publikua në kinematë franceze në fillim të vitit 2026.
Maddox nuk është i vetmi nga fëmijët e ish-çiftit hollivudian që ka zgjedhur të mos përdorë më mbiemrin e të atit. Shiloh ndryshoi ligjërisht emrin e saj në vitin 2024, ndërsa Zahara dhe Vivienne janë prezantuar publikisht vetëm me mbiemrin “Jolie” në aktivitete dhe projekte të ndryshme.
Burime pranë Brad Pitt kanë bërë të ditur më herët se aktori e ka përjetuar me dhimbje këtë distancim nga ana e fëmijëve, megjithatë ai vazhdon të ruajë dashurinë dhe mbështetjen për ta.
Angelina Jolie dhe Brad Pitt i dhanë fund martesës së tyre në vitin 2016, ndërsa procesi i divorcit u mbyll zyrtarisht në fund të vitit 2024./mxh
