Rritja e përdorimit të mjeteve elektrike që në peshë mbetet ende modeste në raport me totalin duket se po ndikon në përfshije më të gjerë të aspekteve që lidhen me to, në kuadrin ligjor.
Në draftligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” parashikohet një nen i veçantë që ndalet tek zhvillimi dhe operimi i pikave të karikimit të lidhura ngushtë me mjetet elektrike.
Sipas Nenit 80 të draftligjit, “Integrimi i elektromobilitetit në rrjetin elektrik”, institucionet do të përcaktojnë një kuadër rregullator që synon të nxisë konkurrencën dhe të shmangë përqendrimin e aktivitetit tek kompania publike.
Në pikën 1 të këtij neni thuhet se “ministri, me propozimin e OSSH-së, miraton dhe publikon rregulloret e detajuara për të lehtësuar lidhjen e pikave të karikimit publike dhe private në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike,”, duke shtuar se këto rregullore “sigurojnë bashkëpunimin mbi baza jodiskriminuese të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, me çdo shoqëri që zotëron, zhvillon, operon ose menaxhon pika rikarikimi për automjetet elektrike, përfshirë edhe lidhjen në rrjet.”
Drafti gjithashtu nënvizon se Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) nuk do të zotërojë, zhvillojë, menaxhojë ose operojë pika rikarikimi, përveç rasteve kur operatori i sistemit të shpërndarjes ka në pronësi pika private rikarikimi për përdorim vetjak.
Por edhe në këtë rast është bërë një përjashtim. Në pikën 3 përcaktohet se OSSH mund të hyjë në treg në përputhje me parimin e kostos më të ulët të mundshme një pikë rikarikimi por duhet të plotësohen disa kushte. Referuar draftit nënvizohet që çdo procedurë e tillë të jetë e hapur, transparente dhe jodiskriminuese dhe t’i nënshtrohet miratimit paraprak nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), i cili duhet të verifikojë kushtet e tenderimit përpara se operatori i shpërndarjes të ndërhyjë në treg.
Po kështu OSSH duhet të operojë pikat e karikimit mbi bazën e të drejtës të aksesit të palëve të treta dhe nuk bën diskriminim midis përdoruesve të sistemit ose kategorive të tyre, veçanërisht në favor të shoqërive të lidhura me të.
Rregullat e detajuara për procedurat që do të ndjekë ERE pritet të hartohen dhe miratohen nga vetë institucioni.
Shifrat e fundit zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor tregojnë se mjetet elektrike të regjistruara deri në fund të 2025-ës ishin rreth 12 mijë ndërkohë që në janar-mars 2026 ishin 2964 duke u dyfishuar në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky interes i qartë drejt elektrikeve po vijon tashmë prej kohësh por rrjeti i pikave të karikimit ende mbetet i kufizuar në vend me një përqendrim më të lartë në Tiranë e Durrës dhe një tendencë drejt zonave të bregdetit nxitur nga turizmi por ende i paaksesueshëm në shumë rajone të tjera./monitor.al
