Fundi i këtij viti shënon një moment të rëndësishëm për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, organin më të lartë drejtues të këtij institucioni.
Mandati i gjashtë anëtarëve të këtij Këshilli përfundon në muajin dhjetor. Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës do të ndryshojnë ose do të rinovohen.
Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre pas përfundimit të mandatit dhe mungesa e tyre do të paralizonte vendimmarrjen e këtij organi.
Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” kërkon që mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës zhvillohet me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të emëruar, duke përfshirë praninë e kryetarit ose zëvendëskryetarit të Këshillit Mbikëqyrës.
Kjo nënkupton që, në rast se anëtarët e rinj nuk zgjidhen në kohë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk do të ketë më kuorum për të marrë vendime. Pavarësisht këtij rreziku, procedurat për përtëritjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe zgjedhjes së anëtarëve të rinj janë me vonesë.
Kuvendi i Shqipërisë, vetëm javën e kaluar, i shpalli zyrtarisht vendet e lira për tre prej mandateve që propozohen prej këtij institucioni. Ndërsa Këshilli i Ministrave ende nuk ka njoftuar zyrtarisht shpalljen e tre vendeve të lira.
Për më tepër, nuk është as hera e parë që procesi i plotësimit të vendeve të lira në institucionet rregullatore të tregut ka vonesa.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u përball me një situatë të tillë pikërisht në vitin 2018, para zgjedhjes së anëtarëve që së afërmi u përfundon mandati.
Edhe në atë rast, numri i mandateve të përfunduara ishte gjashtë. Mosplotësimi në kohë i vendeve të lira e bllokoi për një kohë të shkurtër vendimmarrjen në Këshillin Mbikëqyrës.
Në disa periudha gjatë viteve të fundit, edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka vepruar pa një numër të plotë të anëtarëve të Bordit, madje në disa raste, edhe të anëtarëve ekzekutivë të tij.
BSH, përtërihet më shumë se gjysma e Këshillit Mbikëqyrës
Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Pesë anëtarë propozohen nga vetë Kuvendi, tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave, ndërsa një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Në muajin dhjetor përfundojnë mandatet shtatëvjeçare të gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, të zgjedhur në fund të vitit 2018. Pranë përfundimit të mandatit janë Zëvendësguvernatorja e Parë, Luljeta Minxhozi, dhe anëtarët jo ekzekutivë të Këshillit, Artan Hoxha, Edlira Luçi, Ridvan Bode dhe Suela Popa.
Në frymën e ligjit dhe në përputhje me vendimin për zgjedhjen e saj, është shpallur si i përfunduar edhe mandati i anëtares Violeta Staka.
Ligji “Për Bankën e Shqipërisë”, në nenin 48, pika 3, parashikon se “çdo vend vakant në Këshillin Mbikëqyrës do të plotësohet me emërimin e anëtarit të ri të Këshillit Mbikëqyrës… i cili e ushtron këtë funksion brenda afatit të mbetur të anëtarit që ka zëvendësuar”.
Violeta Staka u zgjodh në Këshillin Mbikëqyrës në dhjetor 2020, duke zëvendësuar anëtarin e shkarkuar nga Kuvendi, Arben Malaj.
Duke qenë se mandati i Arben Malajt duhet të përfundonte pikërisht në dhjetor 2025, sipas këtij interpretimi, edhe mandati i Violeta Stakës është vlerësuar i përfunduar.
Megjithatë, në këtë rast ekziston një precedent ku Kuvendi ka bërë një interpretim të ndryshëm dhe që i takon pikërisht Guvernatorit Gent Sejko.
Ai u zgjodh në Këshillin Mbikëqyrës në vitin 2015, në vend të ish-Guvernatorit, Ardian Fullani. Megjithëse mandati i Fullanit përfundonte në vitin 2018, Sejko u lejua të përmbushte një mandat të plotë 7-vjeçar, deri në vitin 2022, kur u rizgjodh për një mandat të dytë.
Luljeta Minxhozi, Artan Hoxha dhe Violeta Staka janë kandidatë të propozuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa Edlira Luçi, Ridvan Bode dhe Suela Popa janë kandidatë të propozuar nga Këshilli i Ministrave.
Rrjedhimisht, Kryeministria dhe Kuvendi duhet të kryejnë edhe procedurat për përzgjedhjen dhe propozimin e anëtarëve të rinj.
Para përfundimit të mandatit të anëtarëve ekzistues, institucionet përkatëse duhet të shpallin vakancën dhe njoftimin publik për aplikime nga kandidatët e interesuar për postet e lira.
Një procedurë serioze e shpalljes, përzgjedhjes së kandidatëve, shqyrtimit dhe emërimit të tyre nga Kuvendi idealisht duhet kryhej në afate disamujore. Por, Kuvendi vetëm në datë 19 nëntor e shpalli vakancën, ndërsa Këshilli i Ministrave ende nuk e ka bërë diçka të tillë.
Rrjedhimisht, ekziston qartë rreziku që afatet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të shkelen, ose i gjithë procesi të kryhet në mënyrë të nxituar dhe pa u dhënë hapësirat e duhura të gjithë profesionistëve të interesuar për të marrë pjesë në garë.
Ligji parashikon që kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe që kanë arsimin e lartë ekonomik ose juridik; përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare; kualifikime profesionale të profilit; përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.
Sipas ligjit, funksioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës është i papajtueshëm me funksionin e punonjësit, administratorit dhe aksionarit, me pjesëmarrje ndikuese në bankën e nivelit të dytë ose në subjektet që licencohen nga Banka e Shqipërisë.
Afati i qëndrimit në detyrë për çdo anëtar të Këshillit Mbikëqyrës është shtatë vjet./ Marrë nga Monitor/ K.M
