Last Updated on 12/06/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Në Shqipëri, krimet e së shkuarës kanë mbetur shpesh pa emër dhe pa dënim. Në Francë, ndëshkimi i bashkëpunëtorëve të nazizmit ka qenë i ashpër, i gjatë dhe pa kompromis. Drejtësia atje u vendos në mënyrë të vonuar, por u vendos. Ndërsa këtu, harresa shpesh është quajtur paqe, dhe heshtja është marrë për maturi.
Drama franceze “Marie-Oktobre”, e sjellë në skenën e Teatrit “Bylis” në Fier nga regjisori Gëzim Kame, nuk është thjesht një vepër arti – është një akt ndërgjegjeje publike. Sepse në thelb, nuk kemi të bëjmë me një ngjarje historike, por me një proces vetëgjykimi moral që çdo shoqëri duhet ta kalojë. E cila, në rastin tonë, s’ka ndodhur kurrë.
Sa për kureshtinë e lexuesve “Mari-Oktobre”, është vepra franceze e Zhak Rober. Por drama është bërë e njohur edhe nga filmi i Zhulien Dyvievje, me të njëjtin emër prodhuar në vitin 1959…
Në qendër të kësaj drame që nuk kërkon spektakël por përqendrim të ngarkuar emocional, është Marie-Oktobre – një grua që dikur mbante një emër lufte, dhe tani mban peshën e kujtesës. Ajo mbledh shokët e saj të vjetër të Rezistencës franceze për të zbuluar të vërtetën rreth tradhtisë që çoi në vrasjen e komandantit Kastij. Njëri nga të pranishmit e ka tradhtuar, dhe nata nuk përfundon pa u zbuluar ai. Por në të vërtetë, më shumë sesa identiteti i tradhtarit, rëndësi ka guximi për ta përballuar të shkuarën – me të gjithë dhimbjen dhe pasojat që sjell.
Tek versioni shqiptar të dramës, në rolin e Marie-Oktobrit, aktorja Shpresa Berdellima sjell një figurë të përmbajtur, por të ngarkuar me dramën e mosqartësisë morale. Ajo nuk kërkon hakmarrje – kërkon kuptim. Dhe ky është një mesazh që i flet fort realitetit shqiptar: pa të vërtetën, nuk ka paqe, vetëm një armëpushim të rremë me të shkuarën.
Regjia e Gëzim Kames shmang çdo retorikë për t’iu përkushtuar një tensioni të brendshëm që ngjan më shumë me një seancë gjyqësore sesa me një shfaqje. Heshtja bëhet dëshmi. Sytë bëhen akuza. Dhe publiku nuk është më thjesht spektator, por bashkëfajtor në heshtje, nëse zgjedh të mos reagojë.
Dhe ja ku lind paralelja e pashmangshme: kush është Marie-Oktobre në Shqipëri? Dhe kush është Kastij ynë? A kemi pasur ne guximin ta pyesim veten: kush e vrau idealin? Kush tradhtoi shpresat e një populli? Apo jemi ende në atë natë të gjatë ku askush nuk flet, askush nuk pranon, dhe gjithçka mbyllet me një gotë verë a një buzëqeshje të shtirur?
Në Shqipëri, ende nuk kemi pasur një seancë morale kolektive. Të gjitha përballjet me të shkuarën janë bërë me një sy të mbyllur dhe një dorë të dridhur. Dosjet janë hapur pjesërisht, krimet janë quajtur “gabime”, viktimat janë keqkuptuar si humbës të fatit, ndërsa fajtorët janë ruajtur si “njerëz që bënë detyrën”. Në vend të gjyqit moral, kemi pasur një heshtje të organizuar, një amnezi të ndërtuar me kujdes për të mos trazuar ujërat e stabilitetit të rremë.
Por historia nuk pret përjetësisht. Një ditë, ajo troket – si Marie-Oktobre që thërret të gjithë në një dhomë. Dhe kur e bën, nuk kërkon as spektakël, as lavdi, por thjesht të vërtetën, sado e vonuar të jetë.
“Marie-Oktobre” nuk është vetëm një shfaqje për një kohë tjetër. Është kujtesë për të gjithë ata që e dinë të vërtetën, por nuk e thanë kurrë. Është një dënim i heshtur për ata që i mbyllën sytë. Është një metaforë për plagët që s’u lanë të shërohen, për idealet që u lanë të vdesin pa u mbrojtur.
Në një kohë kur shoqëria jonë ngurron të përballet me vetveten, teatri bëhet gjykatë, aktorët bëhen dëshmitarë, dhe publiku ftohet të japë një verdikt – qoftë edhe në heshtje.
Po a do të guxojmë ne të kemi një Marie-Oktobre? Apo do të mbetemi përgjithmonë në atë dhomë ku fajtorët heshtin dhe viktimat harrohen?
