Last Updated on 20/03/2026 by EL
Lamborghini pritet të prezantojë disa modele të reja gjatë vitit 2026, në një kohë kur marka ikonike italiane po kalon një transformim të rëndësishëm drejt elektrifikimit dhe teknologjive hibride.
Edhe pse ka ende kritikë që pretendojnë se Lamborghini humbi një pjesë të “shpirtit” të saj pasi kaloi nën kontrollin e Volkswagen Group në fund të viteve ’90, realiteti tregon një histori tjetër. Pikërisht ndërhyrja e gjigandit gjerman, përmes Audi që nga viti 1998, solli stabilitet dhe rritje të qëndrueshme për markën nga Sant’Agata Bolognese.
Sot, Lamborghini ndodhet në një nga periudhat më të suksesshme të historisë së saj. Gjatë vitit të kaluar, kompania regjistroi rezultate rekord, me të ardhura prej 3.2 miliardë euro dhe 10,747 makina të dorëzuara në mbarë botën.
Çfarë pritet në 2026?
Viti 2026 pritet të jetë i pasur me risi, me të paktën dy modele të reja që do të prezantohen në evente të rëndësishme si Goodwood Festival of Speed (9–12 korrik) dhe Monterey Car Week (10–12 gusht).
Megjithatë, nuk pritet që këto të jenë modele krejtësisht të reja në portofol, por më tepër versione të përditësuara apo variante të modeleve ekzistuese.
Një nga surprizat mund të jetë një version “roadster” i modelit Lamborghini Revuelto, duke qenë se kanë kaluar tashmë disa vite nga prezantimi i versionit coupe pa një variant kabriolet.
Fokus te hibridet dhe performanca
Ndërkohë, modeli SUV Lamborghini Urus pritet të marrë një përditësim të ri, me një variant të mundshëm “SE Performante”. Ky version pritet të jetë i pajisur me një motor V8 plug-in hybrid që mund të prodhojë mbi 800 kuaj-fuqi, duke rritur më tej performancën e modelit aktual.
Në të njëjtën kohë, Lamborghini ka shtyrë planet për modelin elektrik Lamborghini Lanzador, duke zgjedhur që fillimisht të fokusohet te teknologjitë hibride plug-in.
Edhe gjenerata e dytë e Urus nuk do të jetë plotësisht elektrike, siç ishte parashikuar fillimisht, por do të vijë si një model PHEV më afër fundit të dekadës.
E ardhmja elektrike mbetet në horizont
Pavarësisht këtij orientimi drejt hibrideve, kompania nuk ka hequr dorë nga planet për një model plotësisht elektrik. Lamborghini konfirmon se zhvillimi i një makine elektrike mbetet pjesë e strategjisë afatgjatë, duke synuar një balancë mes performancës tradicionale dhe qëndrueshmërisë.
Në këtë mënyrë, “demi i tërbuar” vazhdon të evoluojë, duke ruajtur ADN-në sportive, por duke iu përshtatur kërkesave të reja të industrisë globale të automobilave./et
