Qindra fermerë polakë marshuan të premten më 9 janar në Varshavë, duke protestuar kundër marrëveshjes së tregtisë së lirë midis Bashkimit Europian dhe grupit të Amerikës së Jugut, Mercosur. Ata mbanin flamuj polakë dhe pankarta me mbishkrimin “Stop Mercosur”, duke shprehur shqetësime për të ardhmen e bujqësisë lokale.
Protesta vjen pas miratimit paraprak të marrëveshjes nga ambasadorët e BE-së, një hap drejt nënshkrimit të marrëveshjes më të madhe tregtare të bllokut pas më shumë se 25 vitesh negociata. Marrëveshja ka ngjallur kundërshtime të forta, veçanërisht nga Franca, prodhuesi më i madh bujqësor në Europë, që paralajmëron se importet më të lira të mishit, pulave dhe sheqerit mund të dëmtojnë fermerët evropianë.
Në Varshavë, demonstruesit u mblodhën fillimisht pranë Pallatit të Kulturës dhe marshuan drejt Parlamentit, duke bllokuar rrugët dhe duke u shoqëruar nga policia pranë godinave qeveritare.
Fermerët thanë se marrëveshja do të ulë cilësinë e ushqimit dhe do të dëmtojë bujqësinë vendase. “Do të helmojnë ne, fëmijët dhe nipërit tanë,” tha një prej tyre, duke vënë në dukje standardet e ndryshme për pesticidet mes vendeve të Mercosur dhe Polonisë.
Marrëveshja parashikon heqjen e tarifave prej 4 miliardë eurosh për eksportet e BE-së, ndërsa vendet e Mercosur mbajnë tarifa të larta, si 35% për pjesët e makinave, 28% për produktet e qumështit dhe 27% për verërat. Protesta e polakëve pasqyron shqetësimin më të gjerë të fermerëve evropianë për ndikimin e marrëveshjes në tregun dhe bujqësinë e tyre./mxh
