Gjykata e Lartë Rajonale e Mynihut ka dhënë një vendim historik duke dënuar me burgim të përjetshëm dy anëtarë irakianë të organizatës terroriste të “Shtetit Islamik” (ISIS).
Çifti, i identifikuar si Tuana H.S. dhe Azia R.A., u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në gjenocid, skllavërim të të miturve, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas vendimit të gjykatës, ngjarjet e rënda kanë ndodhur midis viteve 2015 dhe 2017 në rajonin e kontrolluar nga ISIS midis Irakut dhe Sirisë. Çifti fillimisht rrëmbeu një vajzë vetëm 5 vjeçare të komunitetit jazidi, ndërsa më vonë në duart e tyre ra edhe një vajzë tjetër 12-vjeçare.
Të dy fëmijët u detyruan të jetonin si skllave në shtëpinë e çiftit, ku u bënë viktima të një dhune sistematike fizike, psikologjike dhe abuzimi seksual. Përveç dhunës, të miturat detyroheshin me forcë të përqafonin ideologjinë radikale terroriste të rrëmbyesve të tyre.
Detajet e zbardhura nga gjykimi kanë qenë tronditëse. Burri, Tuana H.S., dyshohet se i ka përdhunuar të dyja vajzat disa herë. Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij, Azia R.A., luante një rol aktiv dhe mizor në këto krime.
Ajo kujdesej për përgatitjen e dhomës ku kryhej abuzimi dhe i lyente vajzat me grim përpara çdo akti. Për më tepër, gruaja u shkaktonte qëllimisht djegie në trup fëmijëve dhe i dënonte ato duke i detyruar të qëndronin në njërën këmbë për orë të tëra.
Në vitin 2017, kur “Shteti Islamik” filloi të shpërbëhej dhe u dëbua nga rajonet që kontrollonte, çifti vendosi të arratisej nga Siria. Megjithatë, ata nuk i liruan dy vajzat e mitura, por ia dorëzuan ato anëtarëve të tjerë të organizatës terroriste, duke ua humbur gjurmët.
Pas disa vitesh në arrati, drejtësia arriti t’i kapte. Në prill të vitit 2024, dy terroristët u arrestuan në landin e Bavarisë në Gjermani. Procesi gjyqësor ndaj tyre u përmbyll me dënimin maksimal, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në ndjekjen ndërkombëtare të krimeve të gjenocidit të kryera nga ISIS ndaj popullsisë jazidi./ad
