Policia Rrugore e Tiranës ka zhvilluar kontrolle të shtuara gjatë dy ditëve të fundit, duke u fokusuar te drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë radhën në trafik dhe kryejnë parakalime të rrezikshme.
Patrullat janë vendosur në akset më problematike të kryeqytetit, ndërsa janë përdorur dronë monitorimi, kamera inteligjente dhe pika të shumta të kontrollit të shpejtësisë.
Gjatë këtyre 48 orëve, shërbimet e Policisë Rrugore kanë vendosur 136 masa administrative për mosrespektim të radhës dhe parakalime të rrezikshme, shkelje që shpesh janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve të rënda. Po ashtu, janë ngritur me karrotrec 17 mjete për mungesë dokumentacioni, modifikime të paligjshme ose parkime të parregullta që pengonin qarkullimin.
Kontrollet kanë evidentuar gjithashtu 37 drejtues mjetesh që qarkullonin nën ndikimin e alkoolit, duke përbërë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë publike. Për ta janë marrë masat e parashikuara nga ligji.
Në vijim të operacionit, janë vendosur edhe 2758 masa administrative për parkime të gabuara, një fenomen i përhapur që vijon të krijojë vështirësi në qarkullimin e përditshëm në Tiranë. Sakaq, 11 shtetas janë arrestuar ose proceduar penalisht për vepra të ndryshme që lidhen me qarkullimin rrugor. M.P.
