Musée d’Art Moderne (MAM) në Paris ka marrë një dhuratë shumë të rrallë dhe me vlerë të jashtëzakonshme: 61 vepra origjinale të piktorit të famshëm Henri Matisse. Këto vepra janë mbajtur për shumë vite nga familja e artistit dhe tani do të jenë të hapura për publikun e gjerë.
Në këtë koleksion përfshihen piktura, vizatime, gravura, litografi dhe një skulpturë. Shumica e veprave paraqesin vajzën e Matisse, Marguerite, e cila ishte personi më i afërt me të dhe modeli i tij i preferuar gjatë gjithë jetës.
Dhurimi u bë nga Barbara Dauphin Duthuit, bashkëshortja e nipit të Matisse, Claude Duthuit, i cili vdiq në vitin 2011 në Nju Jork. Një pjesë e këtyre veprave ishte ekspozuar vitin e kaluar në MAM, në ekspozitën “Matisse dhe Marguerite”. Megjithatë, vendimi që veprat të mbeteshin përgjithmonë në muze ishte një surprizë e madhe për drejtuesit e institucionit.
Familja e Matisse ka dhuruar edhe më parë vepra të rëndësishme. Në vitin 2013, Barbara Dauphin Duthuit i dhuroi Qendrës Pompidou portretin e njohur “Marguerite me një mace të zezë”, një nga veprat më të famshme të artistit.
Marguerite Matisse ka pasur një jetë të vështirë, por shumë të guximshme. Ajo lindi nga një lidhje e Matisse me një modele, por artisti e njohu si vajzën e tij dhe e rriti së bashku me familjen. Që e vogël u sëmur rëndë nga difteria dhe iu nënshtrua një operacioni urgjent, i cili i la një shenjë në qafë. Për shumë vite, ajo e fshihte këtë shenjë me rroba me jakë të lartë ose me fjongo, siç shihet edhe në portretet e babait të saj.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe pse me shëndet të dobët, Marguerite iu bashkua Rezistencës Franceze. Ajo u arrestua, u torturua nga Gestapoja dhe rrezikoi të dërgohej në kampet naziste të përqendrimit, por arriti të mbijetojë.
Pas luftës, Marguerite hoqi dorë nga piktura për t’ju përkushtuar plotësisht babait të saj. Ajo u bë ndihmësja dhe përfaqësuesja e tij, duke qëndruar pranë tij deri në vdekjen e Matisse në vitin 1954. Edhe më pas, ajo vazhdoi të merrej me dokumentimin dhe ruajtjen e veprave të tij deri në vdekjen e saj në Paris, në vitin 1982.
Henri Matisse ishte një artist që preferonte t’i mbante veprat brenda familjes dhe jo t’i shiste. Për këtë arsye, ky dhurim konsiderohet shumë i rëndësishëm dhe i rrallë. Me këtë dhuratë, 61 veprat e reja do t’i shtohen 20 veprave të Matisse që muzeu kishte tashmë në koleksionin e tij.
Drejtori i Musée d’Art Moderne, Fabrice Hergott, tha se portretet e Marguerite janë “shumë të bukura dhe prekëse”, duke shtuar se ky gjest bujar e kthen muzeun në “shtëpinë e re të Marguerite-s për shumë breza në të ardhmen”.
Henri Matisse (1869–1954) ishte një nga piktorët më të mëdhenj të artit modern dhe një figurë kryesore e fovizmit. Vajza e tij, Marguerite Matisse, ishte muza dhe bashkëpunëtorja e tij më e afërt, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë së tij artistike./kb
