Nga Roland Lami
Koncepti i “Besës” si një mënyrë e re qeverisjeje dhe komunikimi mes shtetit dhe qytetarëve i përdorur dje nga Kryeministri Rama është ndoshta një nga idetë më idiote që kam dëgjuar në diskutimin mbi funksionimin e shtetit modern. Jo sepse “Besa” nuk ka vlerë si pjesë e historisë dhe kulturës sonë, por sepse transferimi i saj nga sfera morale dhe sociale te mekanizmi i qeverisjes përbën një keqkuptim themelor të vetë natyrës së shtetit.
Shteti modern nuk ndërtohet mbi besën ndaj qeveritarit, mbi premtimin personal apo mbi empatinë, marrëdhënien emocionale mes administratës dhe qytetarit. Ai ndërtohet pikërisht për të kapërcyer këtë logjikë për të zëvendësuar fjalën e individit me fuqinë e ligjit, premtimin me procedurën, marrëdhënien personale me përgjegjësinë institucionale dhe dëshirat personale me kuadrin ligjor. Të gjithë kapitujt që po firmosim në kuadër të antarësimit në BE bëhen me këtë qëllim.Shtetitë të jetë racional jo emocional.
Qytetarët më të arsimuar, shtresa e mesme, urbane dhe kryesisht të rinjë janë në protestë fizikisht ose në rrjete sociale pikërisht se shohin sesi qeverisja ka zhvilluar “Besën partiake” apo “Besën krahinore” si dhe empatin personale që vihet në lëvizje rast pas rasti.Ata nuk kërkojnë një shtet që t’u japë besën se do të kujdeset për ta apo fjalën se do zhvilloi empati ndaj shqetësimeve apo problemeve që kanë ata por një shtet ku të drejtat e tyre garantohen nga institucionet, ku procedura respektohet dhe ku ligji është Zot.
Shqipëria nuk ka pasur probleme me raportet personale me pushtetin. Përkundrazi, problemi ynë historik ka qenë pikërisht kur fjala e individit ka zëvendësuar rregullin, ku institucioni ka marr shpesh emrin e personit, ku empatia e dikujt është përdorur në vend të procedurës dhe kur afrimiteti me pushtetin është parë si e vetmja menyrë për të mbaruar punë.
“Besa” është një vlerë e rëndësishme kulturore, por nuk mund të jetë arkitektura e një shteti modern. Një shtet europian nuk funksionon sepse qytetarët besojnë te politikanët por funksionon sepse institucionet kufizojnë edhe politikanët. Të mbash një fjalim të gjatë si formë reagimi apo refleksioni duke ofruar mekanizmin e Besës dhe Empatis si zgjidhje do të thotë të mos kesh kuptuar asgjë nga shteti modern.
Mbas këtij fjalimi romantik të Kryeministrit Rama njerëzit kanë arsye edhe më shumë që të jenë në shesh pasi kuptojnë që drejtuesit që kanë mbi krye jo vetëm që nuk i kuptojnë por jepet më shumë arsye pse duhet ndryshuar ky establishment.
