Last Updated on 22/06/2026 by Monika
Mbrojtësi i Gjermanisë, Nico Schlotterbeck, nuk do të vazhdojë më aventurën e tij në Kupën e Botës pas një dëmtimi serioz në kyçin e këmbës së majtë.
Federata Gjermane e Futbollit konfirmoi se ekzaminimet mjekësore zbuluan një këputje të ligamenteve, e cila do ta mbajë jashtë fushave për disa muaj.
Schlotterbeck u dëmtua gjatë fitores 2-1 të Gjermanisë ndaj Bregut të Fildishtë. Mbrojtësi 26-vjeçar ishte një nga titullarët e rëndësishëm të skuadrës së Julian Nagelsmann, duke formuar qendrën e mbrojtjes së bashku me Jonathan Tah.
Ai kishte lënë gjurmë edhe në ndeshjen e parë të turneut, duke shënuar golin e tij të parë me kombëtaren në fitoren 7-1 ndaj Curaçaos.
Dëmtimi i tij përbën një mungesë të rëndësishme për repartin defensiv gjerman në vazhdim të kompeticionit. Megjithatë, Gjermania e ka siguruar tashmë kualifikimin në fazën e 1/32-ave pas dy fitoreve në grup. Skuadra do të mbyllë fazën e grupeve me ndeshjen ndaj Ekuadorit./mxh
