Hoteli luksoz në Dubai, Burj al Arab, do t’i nënshtrohet një rinovimi të madh 18-mujor. Kështu ka deklaruar një anëtar i stafit për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Kjo do të jetë hera e parë që hoteli në formë vele, një nga monumentet më të njohura të Dubait, mbyllet që nga hapja e tij në vitin 1999. Gjithashtu rinovimi vjen në një kohë kur turizmi është ngadalësuar gjatë luftës SHBA-Izrael me Iranin.
Kompania shtetërore Jumeirah, e cila zotëron hotelin, tha se puna do të kryhet në faza dhe do të drejtohet nga arkitekti i brendshëm me bazë në Paris, Tristan Auer.
Por kompania nuk specifikoi nëse hoteli do të mbyllej gjatë rinovimit. Anëtari i stafit tha se hoteli po ofron akomodim alternativ me rezervime gjatë asaj kohe.
Pavarësisht disa dëmeve kur mbeturinat e një droni iranian të kapur goditën fasadën e tij në fillim të marsit, rinovimi nuk është i lidhur me atë ngjarje.
Konflikti ka dëmtuar Emiratet e Bashkuara Arabe, me ndërprerjet e fluturimeve që ndikojnë në kërkesën e vizitorëve në vend. /kb
