Një 27-vjeçar është arrestuar në Kurbin, pasi dyshohet se qarkullonte i armatosur dhe tentoi t’u largohej shërbimeve të Policisë. Operacioni i koduar “Target” u finalizua nga Sektori për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale në DVP Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Kurbin.
Në pranga u vu shtetasi Edmir Xhaferri, 27 vjeç, banues në Mamurras. Sipas Policisë, i riu u lokalizua në qytetin e Mamurrasit duke qarkulluar me automjet.
Në momentin që ka konstatuar shërbimet e Policisë, 27-vjeçari nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi. Gjatë tentativës për t’u larguar, ai dyshohet se ka përplasur automjetin e shërbimeve të Policisë, duke rrezikuar jetën e punonjësve.
Sipas Policisë, gjatë ndjekjes, i riu ka hedhur edhe armën e zjarrit që mbante me vete. Pas disa minutash ndjekjeje, shërbimet policore kanë mundur ta lokalizojnë dhe neutralizojnë në lagjen “Zef Hoti” në Mamurras, ku edhe u vu në pranga.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, automjeti me të cilin qarkullonte 27-vjeçari, si dhe një palë targa.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme./k.m
