Last Updated on 26/05/2026 by Monika
“Sigurimet, për shkak të kaluarës dhe për shkak se kryesisht konsiderohen shpenzim, janë pak të njohura dhe me konsum të ulët.” Kjo ishte një nga çështjet kryesore të ngritura nga CEO i SIGAL, Avni Ponari, gjatë një konference mbi sigurinë dhe mbrojtjen financiare të punëmarrësve.
Në fjalën e tij, Ponari theksoi se sigurimet në vend perceptohen ende si shpenzim dhe jo si domosdoshmëri, çka sipas tij ka ndikuar drejtpërdrejt në nivelin e ulët të konsumit. Ai bëri të ditur se përdorimi i sigurimeve në Shqipëri është rreth 30 herë më i ulët se në Evropë dhe 60 herë më i ulët për frymë krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, në shoqërinë shqiptare vazhdon të ekzistojë një indiferencë kulturore ndaj mbrojtjes së jetës, shëndetit dhe ngjarjeve aksidentale.
“Sigurimet kanë një mision: kthimin në gjendjen e mëparshme financiare pas një ngjarjeje të ndodhur”, u shpreh Ponari.
Duke u ndalur te rëndësia e sigurimit të punëmarrësve, ai nënvizoi se aksidentet në vendin e punës janë të pashmangshme, pavarësisht masave parandaluese. Në shumë vende të botës, sigurimi ndaj aksidenteve personale konsiderohet një standard i domosdoshëm mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Sipas Ponarit, punëdhënësit zgjedhin të sigurojnë stafin jo vetëm për mbrojtjen e punonjësve, por edhe për të shmangur kostot e proceseve gjyqësore dhe përgjegjësitë financiare që mund të lindin nga aksidentet në punë.
Kreu i SIGAL ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e një kuadri ligjor që përcakton limitet e përgjegjësive financiare në shumicën e sektorëve në Shqipëri. Ai tha se aktualisht vetëm sektori i minierave dhe transporti kanë kufizime të përcaktuara ligjërisht në rast dëmesh apo aksidentesh.
“Të gjithë punëmarrësit janë të ekspozuar përballë ligjit dhe kërkesave pa limit”, deklaroi ai.
Ponari theksoi se sigurimi ndaj aksidenteve personale i çliron punëmarrësit dhe bizneset nga barra financiare dhe ligjore, duke transferuar riskun te kompania e sigurimit.
Ai sqaroi gjithashtu se kostoja e sigurimit nuk përcaktohet nga kompania e sigurimeve, por nga niveli i mbulimit financiar që kërkojnë vetë punëdhënësi dhe punëmarrësi.
Në përfundim të fjalës së tij, CEO i SIGAL apeloi për rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e sigurimeve dhe mbrojtjes së ambienteve të punës.
“Më mirë ta kesh dhe të mos e përdorësh, sesa të mos e kesh kur të duhet një sigurim”, përfundoi Ponari./mxh
