Fatos Çoçoli
Tek ne po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme një pyetje që nuk mund të anashkalohet më: kush e mbron konsumatorin, kur çmimet rriten më shpejt se kostot reale të bizneseve?
Tregu i lirë nuk do të thotë treg pa rregulla. Konkurrenca nuk do të thotë që konsumatori duhet të pranojë çdo çmim që i vendoset përpara. Dhe liria e biznesit për të përcaktuar çmimet nuk mund të kthehet në një liri, për të shfrytëzuar mungesën e informacionit, dobësinë e konkurrencës apo fuqinë e tregut.
Nisma qeveritare “Pasqyra e çmimeve Shqipëri(në anglisht PriceWatch Albania” portal informativ, i cili do të futet edhe në nismën më të gjerë “PasqyrAlbania”, do të realizohet këtë muaj, në shtator.
Çmimet duhet të jenë të dukshme, të krahasueshme dhe transparente për çdo qytetar. Portali ynon t’i japë konsumatorit një instrument konkret, për të krahasuar çmimet dhe për të vendosur se ku të blejë. Ai mund të shërbejë dhe si një sinjalizues efektiv për rastet e panumurta të abuzimit më çmimet, në kurriz të qytetarit-konsumator.
Prandaj, është koha që Shqipëria të kalojë nga një filozofi ku çmimi shihet vetëm si rezultat i tregut, në një filozofi ku shteti monitoron shumë më fort mënyrën se si formohet ai çmim.
Çmimi në raft nuk është thjesht një numër
Kur një produkt shitet në supermarket, çmimi final është rezultat i një zinxhiri: prodhuesi, importuesi, transportuesi, distributori, shumica dhe shitësi me pakicë.
Problemi fillon atëherë kur rritja e çmimit në fund të zinxhirit është shumë më e madhe sesa rritja e kostove në fillim të tij. Nëse një produkt importohet me një kosto të caktuar dhe më pas shitet në raft me një çmim shumë më të lartë, konsumatori ka të drejtë të pyesë:
Sa është kostoja reale dhe sa është marzhi? Kjo pyetje nuk përbën ndërhyrje në ekonominë e tregut. Përkundrazi, është thelbi i funksionimit të një tregu konkurrues. Një treg funksionon mirë, vetëm kur konsumatori ka informacion dhe kur bizneset konkurrojnë realisht me njëri-tjetrin.
Problemi nuk është fitimi, por fitimi pa konkurrencë
Askush nuk mund të kundërshtojë të drejtën e një biznesi për të fituar. Fitimi është një nga motivet themelore të ekonomisë së tregut.
Por një gjë është fitimi i krijuar përmes eficiencës, investimit dhe konkurrencës dhe tjetër gjë është fitimi i krijuar nga një pozicion dominues në treg ose nga mungesa e alternativave për konsumatorin.
Nëse një supermarket ul çmimin, sepse ka organizuar më mirë logjistikën, ka ulur kostot ose ka rritur produktivitetin, kjo është konkurrencë. Sa raste ulje çmimesh kemi ne parë në 5 vitet e fundit, në supermarketet dhe dyqanet e tjera tonat?
E megjithatë, në pesë vjet, euro ka shkuar nga 112 lekë, në 92 lekë. Rënie gati 23%. Janë ulur me 23 përqind në këto pesë vjet artikujt e importit në supermarkete dhe dyqane të tjera? Jo! Vetëm se shumica janë rritur!
Nëse një biznes rrit çmimin sepse të gjithë konkurrentët e tij bëjnë të njëjtën gjë, ndërkohë që konsumatori nuk ka alternativë reale, atëherë kemi një problem që meriton vëmendjen e autoriteteve.
Ja pse portalit “Pasqyra e çmimeve Shqipëri(në anglisht PriceWatch Albania”) i duhet bashkangjitur një Taks Forcë e tatimeve tona, për kontrollin e çmimeve në treg, në çdo rast që qytetarët denoncojnë në portal abuzime të mundshme me çmimet.
Debati nuk duhet të jetë: “A duhet shteti të kontrollojë çmimet në treg?”. Pyetja më e saktë është: “A po funksionon realisht konkurrenca, e cila duhet t’i mbajë çmimet nën presion?”
Shqipëria nuk mund të jetë një treg ku çmimet rriten me një shpejtësi dhe ulen me një tjetër. Një dukuri që konsumatori ynë e vëren lehtësisht është asimetria e çmimeve. Kur rritet kostoja e transportit, energjisë, lëndëve të para apo kursit të këmbimit, rritja e çmimit në raft mund të jetë shumë e shpejtë. Por kur këto kosto bien, ulja e çmimeve pothuajse gjithnjë nuk ndodh me të njëjtën shpejtësi. Madje edhe nuk ndodh fare!
