Mojtaba Khamenei, djali i Liderit Suprem të vrarë të Iranit, Ajatollah Khamenei, dyshohet se ka mbetur i plagosur nga një sulm izraelit. Kështu kanë raportuar mediat izraelite, që shkruajnë se zyrtarët e sigurisë izraelite besojnë i mbijetoi një atentati të dyshuar, por mbeti i plagosur.
Mojtaba është kandidati kryesor për të pasuar të atin si kreu i ardhshëm i Republikës Islamike. Më herët u raportua se Asambleja e Ekspertëve të Iranit pritet të mblidhet brenda 24 orëve për të zgjedhur Liderin e ri Suprem pas vdekjes së Ajatollah Ali Khameneit.
Ajatollah Ahmad Mozafari, anëtar i Asamblesë së Ekspertëve, tha se përfaqësuesit po prisnin diskutimet për të zgjedhur një pasardhës të Khameneit.
Asambleja është përgjegjëse sipas Kushtetutës së Iranit për emërimin e Udhëheqësit Suprem të vendit kur pozicioni mbetet vakant. Udhëheqësi mban autoritetin përfundimtar mbi shtetin, duke përfshirë komandën e forcave të armatosura dhe fjalën e fundit mbi politikën e jashtme dhe të brendshme./mxh
