Last Updated on 12/11/2026 by Monika
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni bëri thirrje sot për unitet politik pas takimit me liderët e opozitës, ku diskutuan një valë alarmesh të sigurisë të lidhura me sulmet kibernetike, të cilat ndërprenë procesin mësimor në shkolla dhe ngritën shqetësime për gatishmërinë e Italisë ndaj kërcënimeve digjitale.
Takimi në Pallatin Chigi u zhvillua një ditë pasi 6.000 shkolla morën e-maile anonime me kërcënime për bomba, duke shkaktuar evakuime, kontrolle dhe alarm të gjerë, përpara se autoritetet të konstatonin se nuk kishte ndonjë rrezik konkret. Mediat raportuan se të enjten u regjistruan kërcënime të reja ndaj shkollave.
Meloni u tha liderëve të opozitës se qeveria dëshironte të ndante informacionet mbi incidentet e fundit, përfshirë aktivitetet e lidhura me hakerët dhe kërcënimet e rreme me bomba ndaj shkollave. Sipas pjesëmarrësve, ajo theksoi se takimi nuk kishte për qëllim të zëvendësonte një informim zyrtar në parlament dhe bëri thirrje për bashkëpunim përtej dallimeve partiake.
Në takim morën pjesë liderët e opozitës Elly Schlein, Giuseppe Conte, Nicola Fratoianni, Angelo Bonelli, Matteo Renzi, Riccardo Magi, Carlo Calenda dhe Edoardo Ziello si dhe zëvendëskryeministrat Antonio Tajani dhe Matteo Salvini dhe disa ministra të tjerë të lartë.
Pas takimit, liderët e opozitës deklaruan se ishin të gatshëm të bashkëpunonin, por i kërkuan qeverisë të ofronte më shumë hollësi dhe propozime konkrete. Lideri i Lëvizjes “Pesë Yjet”, Conte tha se ekzistonte “gatishmëri maksimale” për bashkëpunim, por theksoi se qeveria duhet t’i zhvillojë më tej propozimet.
Qeveria ka deklaruar se incidentet e fundit janë pjesë e një modeli më të gjerë të kërcënimeve kibernetike dhe përpjekjeve për përhapjen e dezinformatave që synojnë të shkaktojnë çrregullim dhe pasiguri.
Shkollat u rihapën dhe procesi mësimor rifilloi normalisht të enjten. /mxh
