Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi sot se nuk beson se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin një veprim ushtarak për të marrë kontrollin e Groenlandës, duke paralajmëruar se një skenar i tillë do të kishte pasoja shumë të rënda për të ardhmen e NATO-s.
Gjatë konferencës së saj tradicionale të Vitit të Ri, Meloni tha se një ndërhyrje e tillë nuk do të ishte realiste dhe se ajo personalisht nuk do ta mbështeste kurrë. Sipas saj, një veprim ushtarak në Groenlandë nuk do t’i sillte përfitime askujt, madje as vetë Shteteve të Bashkuara.
Meloni theksoi se debati mbi Groenlandën nuk është vetëm çështje europiane, por duhet të përfshijë edhe NATO-n, pasi çdo vendim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në ekuilibrat e Aleancës Atlantike. Ajo shtoi se administrata Trump, me qasjen e saj të ashpër, po synon kryesisht të tërheqë vëmendjen mbi rëndësinë strategjike të Groenlandës dhe të rajonit Arktik për sigurinë amerikane, duke dërguar një mesazh të qartë se SHBA nuk do të tolerojë ndërhyrje të tepërta nga aktorë të tjerë të huaj.
Në lidhje me çështjet ndërkombëtare, kryeministrja italiane e cilësoi “absolutisht të parakohshme” çdo diskutim për rikthimin e Rusisë në grupin e vendeve më të industrializuara, G7, duke theksuar se kjo do të varet nga mënyra dhe kushtet në të cilat mund të arrihet paqja.
Meloni komentoi edhe tragjedinë e ndodhur në resortin zviceran të Crans-Montana, ku një zjarr në një lokal nate i mori jetën 40 personave, shumica të rinj. Ajo deklaroi se ngjarja nuk ishte një fatkeqësi e rastësishme, por pasojë e papërgjegjshmërisë dhe lakmisë për fitim. Kryeministrja kërkoi ndëshkime të ashpra për përgjegjësit dhe u shpreh se autoritetet duhet të tregohen “të pamëshirshme” nëse vërtetohet se pronari është larguar me arkën e parave.
Giorgia Meloni premtoi mbështetje për familjet e gjashtë viktimave italiane dhe bëri të ditur se po shqyrton mundësinë e ndalimit të përdorimit të fishekzjarreve dhe shkëndijave në ambiente të mbyllura në Itali, për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen./mxh
