Last Updated on 27/10/2026 by Monika
Një tjetër përplasje ka përfshirë LaLiga-n dhe Real Madridin, pas deklaratave të Kylian Mbappé që kanë shkaktuar zemërim në Kinë. Sipas raportimeve nga vendi aziatik, transmetimi i ndeshjeve ku luan klubi madrilen është ndërprerë në shenjë proteste ndaj komenteve të sulmuesit francez për një meme që e krahasonte me Mao Ce Dunin, ish-liderin e Republikës Popullore të Kinës.
Mbappé e kishte minimizuar këtë krahasim, duke iu referuar Mao Ce Dunit si një “diktator kinez”. Deklaratat kanë shkaktuar reagime në Kinë, ndërsa situata ka vënë në lëvizje edhe drejtuesit e futbollit spanjoll.
Presidenti i LaLiga-s, Javier Tebas, ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke pranuar se deklaratat e futbollistit kanë qenë të pafavorshme dhe kanë shkaktuar fyerje te publiku kinez. Ai ka kërkuar falje në emër të institucionit që drejton dhe ka bërë të ditur se po zhvillohen kontakte me partnerët në Kinë për të shmangur vazhdimin e bojkotit.
“Nga LaLiga na vjen keq thellësisht për deklaratat e Kylian Mbappé, të cilat kanë shkaktuar pakënaqësi dhe kanë fyer Kinën. E kuptojmë dëmin e shkaktuar dhe, në emër të LaLiga-s, dëshiroj t’i përcjell popullit kinez ndjesën tonë të sinqertë”, deklaroi Tebas.
Ai theksoi se futbolli spanjoll ka ndërtuar ndër vite marrëdhënie të rëndësishme me Kinën, si me institucionet dhe operatorët audiovizivë, ashtu edhe me miliona tifozë që ndjekin kampionatin spanjoll.
Sipas Tebas, vazhdimi i bojkotit do të kishte pasoja përtej Real Madridit, duke prekur të gjitha klubet e kampionatit dhe tifozët kinezë.
“Po ndërmarrim të gjitha masat që kemi në dispozicion dhe po punojmë drejtpërdrejt me partnerët dhe bashkëbiseduesit tanë në Kinë për ta kapërcyer këtë situatë. Angazhimi ynë ndaj Kinës, popullit dhe institucioneve të saj është i palëkundur. Një marrëdhënie e ndërtuar gjatë kaq shumë vitesh nuk mund të dëmtohet nga një episod individual”, përfundoi presidenti i LaLiga-s.
Kina përbën prej dekadash një nga tregjet e rëndësishme për futbollin spanjoll. Lidhjet mes vendit aziatik dhe klubeve të LaLiga-s janë forcuar ndër vite edhe përmes investimeve në futbollin spanjoll. Një prej shembujve është Espanyol, që për dhjetë vjet ishte në pronësi të biznesmenit kinez Chen Yansheng, ndërsa edhe Granada ka pasur pronësi ose aksionarë kinezë.
Tashmë, drejtuesit e LaLiga-s po përpiqen të shmangin përshkallëzimin e situatës, e cila rrezikon të ndikojë në marrëdhëniet tregtare dhe sportive me një nga tregjet më të rëndësishme të futbollit spanjoll./mxh
