Last Updated on 04/03/2026 by EL
Memoriali i Skënderbeut në Lezhë përfaqëson një objekt me vlera të shumta historike dhe arkitektonike për Shqipërinë. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër shprehet se ai përfundoi së ndërtuari në vitin 1981, vendosur në një hapësirë të dukshme, sipërfaqja e tij është rreth 225 m2 duke përfshirë brenda tij rrënojat e Katedrales së Shën Nikollit, mbi të cilën ai është ndërtuar.
I ideuar nga skulptori Odhise Paskali dhe arkitekti Latif Lazimi, ky monument përfaqëson denjësisht madhështinë e Skënderbeut. Mbi pllakën e mermertë të varrit, janë vendosur kopja e shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut, marrë nga ato origjinalet të cilat ruhen në Kunsthistorisches Museum të Vjenës. Muret e Katedrales së Shën Nikollit, të ndërtuara në shekullin e XIV-të, janë të dekoruara me 25 shpata dhe mburojën prej bronxi të Skënderbeut, të cilat tregojnë historinë e 25 betejave kryesore të heroit.
Skënderbeu vdiq në 17 Janar të 1468-ës, dhe u varros në këtë vend, aty ku ai kish themeluar “Besëlidhjen e Lezhës” në 2 mars të 1444-ës, me të cilën bashkoi principatat shqiptare kundër pushtimit Osman. Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botën krishtere ishin të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit.
Kjo besëlidhje mori disa vendime. Vendimet e kuvendit ishin krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës./ET
