Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi të mërkurën (18 mars) në Bundestagun gjerman se nuk ekziston ende një plan bindës për të arritur një ndryshim demokratik në Iran dhe se Gjermania nuk është konsultuar nga Uashingtoni për ndërhyrje në rajon.
Ai theksoi se, për sa kohë lufta vazhdon, Gjermania nuk do të marrë pjesë në sigurimin e lirisë së lundrimit në Gjirin e Hormuz përmes mjeteve ushtarake, pasi nuk ka një mandat nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian apo NATO.
“Përsa i përket lirisë së lundrimit, nuk do të përjashtojmë diskutime pas përfundimit të luftës, nëse kushtet janë të duhura,” shtoi Merz, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me liderët europianë, përfshirë Emmanuel Macron, Keir Starmer dhe Giorgia Meloni.
Kancelari paralajmëroi se një përshkallëzim i mëtejshëm rajonal ose shpërbërja e shtetit iranian do të shkaktonte dëme të mëdha ekonomike dhe politike në rajon, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu bëri thirrje për veprime të koordinuara për të minimizuar pasojat në tregjet energjetike dhe stabilitetin global.
Deputetët përshëndetën fjalimin e Merzit me duartrokitje, ndërsa kancelari siguroi se Gjermania do të ndërhyjë kudo ku është e mundur brenda kompetencave të saj kombëtare./mxh
