Last Updated on 25/02/2026 by Kesjana
Presidenti amerikan Donald Trump ka folur të martën, 24 shkurt, për gjendjen e Shteteve të Bashkuara në mandatin e dytë presidencial për të, duke thyer rekordin për fjalimin më të gjatë presidencial para Kongresit, me një kohëzgjatje prej 108 minutash (1 orë e 48 minuta).
Gjatë fjalimit, Trump u përpoq të bindte votuesit se rikthimi i tij në pushtet ishte zgjedhja e duhur dhe u fokusua te sulmet e drejtpërdrejta ndaj demokratëve në sallë.
Mbrëmja u karakterizua më shumë nga elementë simbolikë dhe gjeste të forta sesa nga një mesazh i qartë programor apo ide të reja politike që do të mund të bashkonin ligjvënësit republikanë.
Në disa pjesë të fjalimit, kreu i Shtëpisë së Bardhë iu përgjigj thirrjeve të aleatëve të tij për t’u fokusuar te ekonomia dhe perspektiva e rritjes. Në pjesë të tjera, ai u rikthye te retorika përçarëse ndaj kundërshtarëve politikë. Në tërësi, synimi kryesor dukej të ishte ruajtja e rolit të tij si figura qendrore e jetës politike amerikane në një vit zgjedhor, kur shumë analistë parashikojnë se zgjedhjet do të shihen si një referendum mbi kontrollin republikan të Washingtonit./kb
