Një proces gjyqësor në Kaliforni mund të shënojë një pikë kthese për përgjegjësinë ligjore të gjigantëve të teknologjisë.
Meta Platforms dhe YouTube po përballen me akuza serioze se kanë projektuar me qëllim platformat e tyre për të krijuar varësi tek fëmijët.
Padia është ngritur nga një grua 20-vjeçare, e identifikuar në gjykatë si Kaley G.M., e cila pretendon se është bërë e varur nga rrjetet sociale që në moshë të vogël për shkak të dizajnit “të qëllimshëm dhe manipulues” të aplikacioneve Facebook, Instagram dhe YouTube.
Avokati i saj, Mark Lanier, deklaroi para jurisë se dokumente të brendshme të kompanive tregojnë se ato “ndërtuan makina të dizajnuara për të varur trurin e fëmijëve – dhe këtë e bënë me vetëdije”.
Nga ana tjetër, avokati i Meta-s, Paul Schmidt, hodhi poshtë akuzat, duke argumentuar se problemet e Kaley-t lidhen me një histori të vështirë familjare, përfshirë abuzim verbal dhe fizik, si dhe divorcin e prindërve kur ajo ishte vetëm tre vjeçe.
Ai u shpreh se edhe pa Instagramin, jeta e saj nuk do të kishte qenë domosdoshmërisht ndryshe.
Avokati i YouTube pritet të mbajë deklaratën hapëse të martën, ndërsa Meta dhe Google i kanë mohuar kategorikisht akuzat.
Një vendim kundër kompanive teknologjike mund të hapë rrugën për mijëra padi të ngjashme në gjykatat amerikane dhe të tronditë mbrojtjen ligjore që industria e teknologjisë ka përdorur për dekada ndaj akuzave për dëme tek përdoruesit.
Aktualisht, Google, Meta, TikTok dhe Snap përballen me mijëra procese gjyqësore në shtetin e Kalifornisë./mxh
