11 shkurt 1978 – Kur Kina lejoi sërish librat e ndaluar
Nga Leonard Veizi
Në kalendarin e historisë moderne, 11 shkurti i vitit 1978 duket si një datë e vogël, thuajse e parëndësishme. Por për kulturën dhe mendimin, ai shënon një kthesë të madhe: qeveria kineze hoqi ndalimin ndaj veprave të Aristotelit, Shekspirit dhe Çarls Dikensit, duke sinjalizuar fundin simbolik të një epoke izolimi ideologjik dhe fillimin e një hapjeje të re kulturore.
Ky vendim nuk ishte thjesht një akt administrativ mbi libra. Ishte një deklaratë historike për mënyrën se si një regjim që kishte ndërtuar identitetin e vet mbi kontrollin e mendimit, po përpiqej të dilte nga hija e Revolucionit Kulturor.
Revolucioni që luftoi kujtesën
Revolucioni Kulturor, – që u zhvillua mes viteve 1966–1976, – i nisur nga Mao Ce Duni, synonte të pastronte shoqërinë kineze nga çdo element “borgjez” apo “tradicional”. Brenda kësaj logjike u goditën jo vetëm institucionet dhe njerëzit, por edhe vetë kultura: librat e vjetër u shkatërruan, muzetë u plaçkitën dhe intelektualët u shpallën armiq.
Fushatat politike të kohës prodhuan dhunë masive, arrestime dhe ekzekutime të atyre që shpalleshin “kundërrevolucionarë”, duke e kthyer kontrollin ideologjik në instrument shtetëror frike.
Në këtë klimë, leximi i autorëve perëndimorë nuk kishte të bënte thjesht me një shije letrare; ai mund të konsiderohej krim kundër shtetit. Ndalimi i Aristotelit, Shekspirit apo Dikensit nuk ishte një çështje librash, por një përpjekje për të kufizuar vetë horizontin e mendimit njerëzor.
Hapja e derës së mbyllur për një dekadë
Pas vdekjes së Mao Ce Dunit dhe përfundimit të Revolucionit Kulturor, udhëheqja kineze nisi një periudhë reformash dhe rishikimi. Në këtë kontekst, më 11 shkurt 1978 u hoq censura ndaj një sërë veprash të konsideruara më parë “ofenduese”, përfshirë klasikët e mendimit dhe letërsisë perëndimore.
Ky gjest simbolizoi jo vetëm rikthimin e librave, por edhe rikthimin e mundësisë për dialog kulturor me botën. Ai shënoi fillimin e një klime ku shkrimtarët e përjashtuar u rikthyen në skenë dhe letërsia nisi të reflektonte plagët e së kaluarës, si në të ashtuquajturën “letërsi e plagës” të fundviteve ’70.
Pra, 1978-a ishte më shumë se një vit reformash ekonomike; ishte një çast kur kultura nisi të merre frymë sërish.
Absurdi i ndalesave dhe frika nga mendimi
Historia e ndalimit të librave në Kinën maoiste ngriti një pyetje universale: pse regjimet kanë frikë nga librat?
Libri është objekti më i pafajshëm i botës, edhe pse përbëhet nga ca fletë letre, disa fjali dhe… disa ide. Megjithatë, për pushtetet totalitare ai bëhet armë, sepse ideja është më e rrezikshme se çdo kundërshtar politik. Ndalimi i Aristotelit nuk kishte të bënte me filozofinë antike; kishte të bënte me frikën nga arsyetimi. Ndalimi i Shekspirit nuk lidhej me teatrin; lidhej me dramën e lirisë njerëzore.
Kjo është tragjedia e çdo revolucioni kulturor që kërkon të krijojë “njeriun e ri”: për ta bërë këtë, ai duhet të shkatërrojë kujtesën. Por shkatërrimi i kujtesës është gjithmonë i përkohshëm. Librat kthehen. Idetë mbijetojnë. Dhe historia, herët a vonë, kërkon llogari.
Vendimi i vitit 1978 dëshmon pikërisht këtë: se edhe regjimet më të mbyllura detyrohen një ditë të hapin derën që vetë e kanë mbyllur. Dhe këtë nuk e bëjnë nga bujaria, por nga pamundësia për ta mbajtur mendimin të burgosur përgjithmonë.
Midis së kaluarës dhe së tashmes
Edhe pas hapjes së viteve ’70, censura në forma të ndryshme ka vazhduar të ekzistojë në Kinë, duke treguar se marrëdhënia mes pushtetit dhe fjalës së lirë mbetet e brishtë.
Kjo e bën ngjarjen e vitit 1978 jo vetëm histori, por paralajmërim: çdo shoqëri që ndalon librat rrezikon të ndalojë vetë të ardhmen e saj.
Sepse në fund, revolucioni më i madh nuk është ai që djeg librat, por ai që i rikthen në duart e njerëzve.
