Në Milano, protestat e djeshme, 7 shkurt, kundër Lojërave Olimpike degjeneruan, ndërsa disa individë shkaktuan dëme në infrastrukturën hekurudhore.
Incidente u regjistruan edhe në Bologna dhe Pesaro, ku u gjetën eksplozivë të improvizuar dhe u dogjën kabina që kontrollojnë sinjalizimin e trenave.
Fatmirësisht, sistemi i trenave u rikuperua shpejt falë ndërhyrjes së teknikëve, duke shmangur ndërprerje serioze të trafikut hekurudhor.
Një nga eksplozivët nuk shpërtheu dhe po ekzaminohet nga hetuesit, të cilët mund të identifikojnë teknikën dhe autorët. Teksa ende nuk ka një pistë të saktë për përgjegjësit, nuk përjashtohet mundësia se pas kësaj fshihen grupe politike ose individë me pikëpamje të majta ekstreme, shpesh anarkiste, antiqeveritare, ose kundër sistemit kapitalist.
Policia dhe shërbimet e sigurisë kanë ndërmarrë masa të rrepta vigjilence për të parandaluar incidente të tjera.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar përmes në një postimi në rrjetet sociale. Ajo i cilëson ata që kundërshtuan me dhunë Lojërat Olimpike “armiq të Italisë dhe italianëve”.
“Mijëra e mijëra italianë në këto orë punojnë që gjithçka të funksionojë gjatë Lojërave Olimpike. Shumë prej tyre e bëjnë këtë si vullnetarë, sepse duan që kombi i tyre të japë një imazh të mirë, të admiruar dhe të respektuar. Pastaj janë ata: armiqtë e Italisë dhe italianëve, që protestojnë kundër Lojërave Olimpike. Solidaritet, edhe një herë, për Forcat e Rendit, për qytetin e Milanos, dhe për të gjithë ata që do të shohin punën e tyre të shkatërruar nga këto banda të krimit”, shkruan Meloni.
Incidentet e fundit tregojnë se edhe veprimet demonstrative mund të rrezikojnë seriozisht sigurinë, sidomos kur godasin nyjet kyçe të linjave hekurudhore./kb
