Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka refuzuar publikisht marrëveshjen për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza, duke deklaruar se operacionet ushtarake izraelite duhet të vazhdojnë.
Komiteti për Paqe njoftoi më herët se ishte arritur një marrëveshje sipas së cilës Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura do të çarmatoseshin.
Megjithatë, Ben-Gvir e hodhi poshtë këtë marrëveshje, duke thënë se ky nuk është vetëm qëndrimi i tij personal, por edhe i të gjithë qeverisë izraelite, shkruan timesofisrael.
“Pas masakrës së 7 tetorit, çdo anëtar i Hamasit është objektiv. Ndërprerja e eliminimit të terroristëve do të nënkuptonte lejimin e Hamasit që të rigrupohej dhe të përgatitej për një masakër të re”, deklaroi ai.
Pjesa më e debatueshme e deklaratës së tij ishte thirrja për vazhdimin e operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës.
“Vrasjet e synuara në Gaza duhet të vazhdojnë, duhet të inkurajohet shpërngulja e palestinezëve dhe Izraeli duhet të fitojë”, shkroi Ben-Gvir.
Sipas marrëveshjes së arritur mes Komitetit për Paqe dhe Hamasit, grupi palestinez do të çarmatoset, ndërsa administrimi i Gazës do t’i kalojë gradualisht një autoriteti të veçantë palestinez.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se, në këmbim të këtij hapi, Izraeli do të tërhiqte trupat e tij nga Gaza.
Megjithatë, duke pasur parasysh kundërshtimin e Ben-Gvirit dhe qëndrimet e një pjese të qeverisë izraelite, mbetet e paqartë nëse marrëveshja do të zbatohet në praktikë./mxh
