Last Updated on 09/04/2026 by EL
Ditën e sotme, ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Enea Karakaçi, sëbashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, kanë vizituar punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës.
Gjatë fjalës së tij, ministri Karakaçi tha se hapja e 6 kilometrave të para të këtij segmenti ishte planifikuar për në muajin dhjetor, por sipas tij, u shty për shkak të dimrit të lagësht dhe një sërë problematikave të tjera.
“Gjendemi në aksin Tiranë-Durrës. Në fakt është edhe aksi më i ngarkuar përsa i përket trafikut në të gjithë Shqipërinë. Kemi hyrjen në Tiranë, hyrjen nga pjesa e Aeroportit të Rinasit edhe lidhjen me qytetin e Durrësit. Ky segment është një segment i rëndësishëm. Ne gjendemi këtu në punimet që po kryhen në 6 kilometrat e para të këtij segmenti. Patjetër kemi patur operacion të vështirë për zbatimin e tij, sepse jemi përpjekur që të mos pengojnë qarkullimin e mjeteve. Dëshira jonë ka qenë që ta përfundonim brenda dhjetorit këtë vepër. Dhe në fakt deri në vjeshtë punimet kishin ecur me ritme shumë të mira. Por më pas u hasëm me një dimër shumë të lagësht. Në kontratë jemi brenda kushteve të kontratës, sepse e kemi brenda muajit korrik dorëzimin e këtij aksi”, tha ministri Karakaçi.
Ndërkohë Kozeli tha se punimet për 6 kilometrat e para të këtij aksi janë në fazën finale dhe pritet të përfundojnë brenda fillimit të muajit maj.
Ai shtoi se kjo autostradë do të jetë një rrugë që do të ketë 3+1 korsi, pra 3 korsi për mjetet e zakonshme dhe një korsi emergjence.
“Ministër, ne jemi në fazën finale. Ne po përgatitemi për hapje, ashtu siç edhe ju keni lënë porosi që brenda fillimit të muajit të ardhshëm ne të jemi gati për hapje. Konkretisht jemi në lotin 1 ku po vijon asfaltimi. Qytetarët kishin pritshmëri që ne ta hapnim brenda dhjetorit, por për një sërë arsyesh, por kryesisht për faktin e ngarkesës së jashtëzakonshme që ka ky aks, ka pasur vonesa. Kjo është një rrugë që do të ketë 3+1 korsi”, dhe Kozeli./et
