Sulmet ruse kanë dëmtuar Konsullatën e Nderit të Letonisë në qytetin ukrainas të Slovianskut, në lindje të vendit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën gjashtë civilëve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Ngjarja ka sjellë reagime të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe vendet baltike, të cilat e cilësuan sulmin si një goditje të qëllimshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës diplomatike.
Ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Braže, konfirmoi të premten se sulmi rus dëmtoi konsullatën e nderit të vendit të saj në Sloviansk.
“Me indinjatë kam informuar ministrat e BE-së, NATO-s dhe organizatat ndërkombëtare. Rusia mund të shkatërrojë ndërtesa, por jo vullnetin e Ukrainës dhe mbështetjen e Letonisë”, deklaroi ajo.
Sipas transmetuesit publik letonez LTV Zinu dienests, Konsulli i Nderit i Letonisë, Oleksandr Pavenko, nuk u lëndua nga sulmi, i cili ndodhi në rajonin e Donbasit.
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, e cilësoi sulmin ndaj konsullatës si një “krim lufte”.
“Letonia qëndron përkrah Ukrainës. Ne do të vazhdojmë të mbështesim punën e konsullit tonë të nderit, Oleksandr Pavenko, dhe të gjithë atyre që ndodhen në vijën e parë duke ndihmuar popullin e tyre”, u shpreh ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, konfirmoi se bombat ajrore të drejtuara ruse vranë gjashtë civilë dhe plagosën shumë të tjerë.
Në një deklaratë, ai tha se sulmi dëmtoi “shtëpi të zakonshme, ndërtesën e konsullatës dhe automjete”.
“Është e rëndësishme që partnerët tanë ta kuptojnë plotësisht se mbrojtja e jetëve varet edhe prej tyre. Raketat për sistemet Patriot janë prioriteti numër një”, theksoi Zelenskyy.
Edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e cilësoi sulmin si një tjetër shembull të “shkeljes flagrante të së drejtës ndërkombëtare” nga Rusia dhe të shpërfilljes së mbrojtjes së objekteve civile dhe konsullore.
Ai bëri thirrje për një reagim të fortë ndërkombëtar ndaj sulmit.
Reagime nga BE-ja dhe vendet baltike
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe deklaroi se sulmi ndaj përfaqësisë diplomatike të Letonisë tregon “mungesën e plotë të respektit të Rusisë për diplomacinë”.
“Rusia po e humbet luftën që vetë nisi dhe po godet gjithnjë e më shumë civilët në një përpjekje të dëshpëruar për të thyer shpirtin e Ukrainës. Por shpirti i Ukrainës është i pathyeshëm, ashtu si edhe vendosmëria e Evropës për të mbështetur mbrojtjen e saj”, tha ajo.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, e dënoi sulmin, duke e quajtur atë një akt të rëndë dhe të papranueshëm.
“E dënoj me forcë këtë goditje, e cila mori jetë njerëzish dhe la shumë të plagosur”, u shpreh Costa.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kęstutis Budrys, dënoi sulmet ndaj civilëve ukrainas dhe infrastrukturës diplomatike letoneze, duke theksuar se ato nuk do të thyejnë “guximin, qëndresën dhe vendosmërinë e popullit ukrainas dhe të atyre që e mbështesin atë”.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, e quajti ngjarjen një “sulm të qëllimshëm” ndaj qytetarëve ukrainas dhe përfaqësive diplomatike evropiane.
“Këto sulme nuk do të mbeten pa përgjigje. Presioni ndaj Rusisë do të rritet dhe mbështetja për Ukrainën nuk do të lëkundet”, deklaroi ai.
Kujtojmë se në gusht të vitit të kaluar, sulmet ruse ndaj Kievit dëmtuan rëndë edhe zyrat diplomatike të Bashkimit Evropian, sulm që shkaktoi vdekjen e të paktën 17 civilëve ukrainas dhe u dënua ashpër nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen./mxh
