Last Updated on 16/04/2026 by Anisa
Seanca e radhës plenare në Kuvend është shoqëruar sërish me mungesën e Ministres së Shëndetësisë, Evis Sala. Kjo është hera e tretë radhazi që ministrja nuk është e pranishme në seancë, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për interpelancë dhe mocione me debat mbi çështje që lidhen me sistemin shëndetësor.
Deputetë të opozitës kanë ngritur shqetësimin për mungesën e saj të vazhdueshme, duke theksuar se janë paraqitur disa herë kërkesa për dëgjesa në komisione dhe diskutime parlamentare, por pa përgjigje konkrete nga ana e ministres.
Gjatë seancës së sotme, deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, e ka cilësuar mungesën e ministres si të përsëritur dhe problematike, duke theksuar se opozita ka kërkuar prej kohësh ballafaqim mbi çështje që, sipas tij, prekin drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.
Kujtojmë se javën e kaluar ka qenë deputeti demokrat Saimir Korreshi që e ka ngritur shqetësimin e mungesës së saj, kurse gjatë kësaj seance ka qenë deputeti Bardh Spahia si i cili ka marrë fjalën dhe ka theksuar se: “Dhe këtu spikat mungesa e ministres së Shëndetësisë, e cila prej muajsh tashmë kërkohet nga ne, përfaqësuesit e opozitës për të dhënë shpjegime mbi disa problematika ekstremisht të rendësishme por edhe urgjente njëkohësisht”
Bardh Spahia: “Dhe këtu spikat mungesa e ministres së Shëndetësisë, e cila prej muajsh tashmë kërkohet nga ne, përfaqësuesit e opozitës për të dhënë shpjegime mbi disa problematika ekstremisht të rendësishme por edhe urgjente njëkohësish. Kemi kohë që e kërkojmë ministren e Shëndetësisë, për dëgjesa në komision për interpelanca, për mocione me debat dhe për fat të keq në shumicën absolute të rasteve është refuzuar përballja me deputetët e parlamentit.
Duhet ti kujtoj ministres por edhe kolegëve, se bëhet fjalë për problematika që prekin atë që kanë më të shtrenjtë shqiptarët, shëndetin dhe jetën.
Nuk e themi vetëm ne si opozitë, në fakt pyetjet që do kishim për ministren e shëndetësisë, sigurisht që i referphen edhe gjetjeve të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili nngre shqetësime madhore.
Sot që flasim të paktën 26, preparate ilaçe, alternativ e parë mungojnë në QSUT, në qendrën më të specializuar të Shqipërisë. Sot që fkalim të paktën 31 preparate, mungojnë në spitalet rajonale të Shqipërtisë, përfshirë këtu spitalin e Shkodrës nga vi unë, Durrësit, Elbasanit por edhe të Korçës nga ku vini ju.”
