Last Updated on 16/04/2026 by Anisa
Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur shqetësimin për çmimet e fruta-perimeve në tregun vendas, duke kërkuar ndërhyrje për të ndalur, siç e quan ai, abuzimin me çmimet ndaj konsumatorëve.
Në një deklaratë publike, Braçe u ndal veçanërisht te çmimi i domates, të cilën e cilësoi si “produktin hit” të muajve të fundit. Sipas tij, diferenca mes çmimit të importit dhe atij të shitjes në tregun shqiptar ka qenë tepër e lartë.
“Kemi qenë nën agresionin e importit dhe çmimet në treg kanë qenë të justifikuara me këtë fakt. I jam drejtuar Drejtorisë së Doganave, veçanërisht për domaten. Ka importe nga Greqia, Italia, Serbia dhe Turqia, rreth 2500 ton në periudhën janar–mars. Por çmimet me të cilat janë importuar dhe zhdoganuar janë shumë më të ulëta se ato që qytetarët kanë paguar në treg,” u shpreh ai.
Sipas Braçes, diferenca mes çmimit të importit dhe atij final për konsumatorin ka arritur deri në 5–6 herë, gjë që ai e konsideron “abuzim skandaloz”, sidomos në një treg ku, sipas tij, mungon qarkullimi i faturës fiskale.
Ai theksoi gjithashtu se prodhimi vendas i ndjek të njëjtat trende çmimesh dhe paralajmëroi se situata mund të vijojë edhe në muajt e verës, kur importet pritet të rriten.
“Duhet të ndalet abuzimi me çmimet e fruta-perimeve. Edhe në kushtet e importit, situata është shqetësuese, ndërsa prodhimi vendas po ndjek të njëjtin trend,” shtoi deputeti.
Braçe bëri thirrje për më shumë kontroll dhe transparencë në tregun e produkteve bujqësore, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e konsumatorit dhe fermerit vendas.
