Last Updated on 20/02/2026 by Anisa
Në konferencën për shtyp të zhvilluar sot, Albana Koçiu riktheu në vëmendje vendimin e marrë për të mos lejuar qarkullimin e monopatinave, vendim ky për të cilin kohët e fundit janë shfaqur aludime se mund të ishte lënë në harresë.
Ministrja theksoi qartë se nuk do të tërhiqet nga vendimi dhe se puna mbi studimin e infrastrukturës për përdorimin e sigurt të monopatinave vijon pa ndërprerje.
“Ky vendim është marrë në të mirë të shëndetit të fëmijëve,” – tha Koçiu.
“Gjatë vitit të kaluar, shumë prej të miturve janë paraqitur në spital si pasojë e lëndimeve të marra nga përdorimi i monopatinave. Vetëm për vitin 2025, në Spitalin e Traumës janë regjistruar 990 raste.”
Ministrja argumentoi se rreziqet e monopatinave nuk prekin vetëm përdoruesit, por edhe kalimtarët. Ajo nënvizoi se vendimi për pezullimin e qarkullimit është marrë në mënyrë të menjëhershme dhe me prioritet mbi jetën dhe sigurinë e fëmijëve dhe qytetarëve të çdo moshe.
Në fjalën e saj të plotë, Albana Koçiu tha:
“Është aluduar kohët e fundit se ka një dorëzim nga ana e ministrisë lidhur me ndalimin e monopatinave. Nëse do më pyesnit sërish nëse ky është vendimi i duhur, do t’ju them se po. Rastet e lëndimeve fizike nga përdorimi i monopatinave pa kriter moshe, shpejtësi, dhe aksidente nuk ndodhin vetëm tek përdoruesit, por edhe tek kalimtarët. Vetëm për vitin 2025, deri në muajin tetor kur i bllokuam, kishim mbi 990 raste që morën trajtim tek Trauma, pa llogaritur rastet që nuk shkuan në spital. Përpara jetës dhe sigurisë së fëmijëve dhe qytetarëve, vendimi për pezullimin e monopatinave është më i miri, dhe nuk do të tërhiqem nga ai. Ne po punojmë për të siguruar infrastrukturën e nevojshme dhe për të krijuar një kulturë të mirë përdorimi, që do të lejojë lëvizshmëri të sigurt në të ardhmen.”
Ministrja Koçiu përfundoi duke theksuar se procesi kërkon një studim të thelluar të rrugëve, infrastrukturës dhe masave të sigurisë, pasi përdorimi i monopatinave nuk është një çështje e thjeshtë dhe nuk mund të lejohet pa kushte të qarta dhe të sigurta.
