Aktori turk Murat Yıldırım dhe bashkëshortja e tij marokene, Iman Elbani, janë bërë prindër për herë të dytë. Çifti ka mirëpritur një djalë, të cilin e kanë pagëzuar me emrin Kerem.
Lajmin e ëmbël e kanë ndarë me fansat përmes disa fotove familjare, ku shfaqen me të porsalindurin. Edhe pse kanë zgjedhur të mos tregojnë fytyrën e tij, fotot përcjellin emocionin dhe lumturinë e familjes.
“Mirë se erdhe, djali ynë Kerem”, shkroi Yıldırım krahas fotografive. Edhe Elbani e konfirmoi lajmin, duke u shprehur se ardhja e të birit është një bekim dhe se shpreson që ai të jetë gjithmonë burim gëzimi për familjen.
Kerem i bashkohet motrës së tij të madhe, Miray, e cila ka lindur në tetor 2022.
Yıldırım kishte preferuar ta mbante shtatzëninë e bashkëshortes larg vëmendjes së mediave dhe e bëri lajmin publik vetëm pak ditë para lindjes.
Ndërkohë, aktori është protagonist në serialin “Mëkate dhe trëndafila”, që po transmetohet aktualisht në TV Klan, ku interpreton personazhin e Serhatit, një biznesmen jeta e të cilit ndryshon krejtësisht pasi zbulon një sekret të madh të bashkëshortes./mxh
