Vitaminë C është e njohur gjerësisht për përfitimet e saj shëndetësore, por ideja se ajo parandalon të ftohtin mbetet një mit. Sipas Daniel M. Davis, kreu i shkencave të jetës në Imperial College London, vitamina C është një antioksidant i fuqishëm, ndihmon në përthithjen e hekurit dhe luan rol kyç në prodhimin e kolagjenit.
“Por marrja e dozave të larta të vitaminës C apo pirja e sasive të mëdha të lëngut të portokallit nuk do t’ju shpëtojë nga e ftohura dhe as nuk do t’ju bëjë të shëroheni më shpejt,” thotë ai.
Besimi në fuqinë e vitaminës C për t’u mbrojtur nga të ftohtit ka më shumë se 50 vite që qarkullon. Sipas Davis, kjo lidhet kryesisht me ndikimin e një njeriu: Linus Pauling, fitues i dy çmimeve Nobel dhe një nga kimistët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Libri i tij i vitit 1970, Vitamin C and the Common Cold, u bë bestseller dhe çoi në rritje të madhe të kërkesës për suplemente.
Megjithatë, studimet e shumta shkencore tregojnë se njerëzit që marrin vitaminë C kanë të njëjtën mundësi për t’u ftohur sa ata që nuk e marrin fare. Ndikimi i suplementimit duket të jetë i kufizuar vetëm në kohëzgjatjen e simptomave, të cilat mund të shkurtohen mesatarisht me rreth 8% tek të rriturit një ulje modeste.
Për më tepër, Davis thekson se rezultatet shpesh janë të vështira për t’u interpretuar, pasi personat që marrin rregullisht suplemente kanë zakonisht një stil jete më të shëndetshëm se mesatarja.
Në vend të vitaminës C, ekspertët sugjerojnë që vëmendja të përqendrohet te vitamina D, e cila ka një lidhje shumë më të qartë me shëndetin e sistemit imunitar. Vitamina D merret natyralisht nga drita e diellit mes muajve mars dhe tetor, ndërsa gjatë dimrit, siç rekomandon edhe Shërbimi Shëndetësor Britanik (NHS), suplementet mund të jenë të dobishme.
