Jacob Elordi nuk e ka fshehur irritimin e tij ndaj paparacëve, pasi kamerat nuk i lanë të qetë gjatë një shëtitjeje në Paris me Kendall Jenner. Aktori u kthye drejt fotografëve dhe u kërkoi të ndalonin, ndërsa modelja u pa duke mbuluar fytyrën nga blicet e vazhdueshme.
Jacob Elordi dhe Kendall Jenner janë kthyer sërish në qendër të vëmendjes gjatë qëndrimit të tyre në Paris për Javën e Modës. Dyshja u fotografua duke ecur dorë për dore në rrugët e kryeqytetit francez, teksa po kthehej drejt hotelit.
Në fillim gjithçka dukej e qetë, por situata ndryshoi kur paparacët nisën t’i ndiqnin dhe të fotografonin vazhdimisht me blic. Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, Kendall shihet duke mbuluar fytyrën me dorë, dukshëm e bezdisur nga dritat e kamerave.
Në këtë moment, Jacob ndërhyri dhe iu drejtua fotografëve.
“Prisni, prisni, a mund të shkojmë thjesht në shtëpi?”, dëgjohet ai duke thënë, përpara se t’u kërkojë të ndalojnë.
“Stop, stop, stop. Na lini të ecim,” vijon aktori, duke u përpjekur t’u bëjë të qartë paparacëve se nuk dëshironte që ata të vazhdonin t’i ndiqnin.
Jacob më pas u kujtoi fotografëve se tashmë kishin bërë mjaftueshëm fotografi të tyre dhe kërkoi sërish: “Pa blic, thjesht na lini të ecim. Na lini të shkojmë.”
Megjithatë, kërkesat e tij nuk duket se i ndaluan fotografët, të cilët vazhduan t’i filmonin dhe fotografonin derisa Kendall dhe Jacob u futën në makinë.
Dalja e tyre në Paris vjen në një moment kur dyshja po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje për shkak të romancës së përfolur. Edhe pse Kendall dhe Jacob nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht lidhjen, shfaqjet e tyre publike, daljet së bashku dhe momentet e afërsisë kanë ushqyer prej muajsh thashethemet për një lidhje mes tyre.
Dyshja u lidh për herë të parë në mars dhe prill të vitit 2026, pas aludimeve që nisën rreth festës së Vanity Fair pas ceremonisë së “Oscars” dhe më pas fotografive të tyre së bashku në Coachella.
Që prej atëherë, Kendall dhe Jacob janë raportuar së bashku në destinacione të ndryshme, mes tyre Hawaii, Japonia dhe Londra.
Ndërkohë, Jacob ishte parë më herët në rreshtin e parë të sfilatës së Bottega Veneta në Milano, ku ndoqi edhe daljen e Kendall në pasarelë./mxh
