Last Updated on 27/07/2026 by EL
Një ndërhyrje e rrallë mjekësore është kryer në spitalin “Molinette” të Torinos, ku mjekët arritën t’i rikthejnë pjesërisht shikimin një pacienteje 67-vjeçare, pas pesë vitesh e verbër.
Pacientja, e identifikuar si Elena, kishte humbur shikimin në syrin e majtë për shkak të një aksidenti automobilistik, ndërsa syri i djathtë vuante nga dëmtime të rënda të retinës dhe kornesë.
Ekipi i drejtuar nga profesori Michele Raibaldi vendosi të përdorte inde të shëndetshme nga syri i majtë për të rindërtuar syrin e djathtë. Operacioni, që zgjati rreth gjashtë orë, përfshiu transplantimin e kornesë, sklerës, konjuktivës dhe për herë të parë në botë, edhe të makulës, pjesës qendrore të retinës.
Rezultatet e para janë inkurajuese, ndërsa specialisti francez Michel Pack e cilësoi këtë ndërhyrje si një arritje absolute në nivel botëror. Megjithatë, ekspertët theksojnë se duhen studime të mëtejshme për të kuptuar efektet afatgjata dhe mundësinë e aplikimit te pacientë të tjerë./et
