Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, nuk do të marrë pjesë në ceremonitë mortore të babait të tij, ish-udhëheqësit suprem Ajatollah Ali Khamenei, për shkak të shqetësimeve serioze për sigurinë e tij, pas kërcënimeve të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, se ai është “i shënjestruar për vdekje”.
Lajmi u bë i ditur nga përfaqësuesi i udhëheqësit suprem të Iranit në Indi, Ajatollah Hakim Elahi, në një intervistë për rrjetin televiziv India Today. Sipas tij, vendimi lidhet me kërcënimet e vazhdueshme të Izraelit ndaj udhëheqjes politike dhe fetare të Iranit.
Elahi deklaroi se kushtet aktuale të sigurisë nuk i lejojnë Mojtaba Khameneit të marrë pjesë në ceremonitë e varrimit, pasi ai vazhdon të konsiderohet një objektiv i mundshëm.
Deklaratat vijnë pas komenteve të fundit të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, i cili kishte paralajmëruar se Khamenei është “i shënjestruar për t’u vrarë”.
Këto deklarata shkaktuan reagime të ashpra nga Teherani, ndërsa ministri i Jashtëm iranian paralajmëroi se çdo kërcënim i ardhshëm do të marrë një “përgjigje të fortë”./mxh
