Last Updated on 25/07/2026 by Anisa
Nga Norel Zaimi
Po flitet se mbi 13 bashki në Shqipëri mund të shkrihen me reformën e re administrative me argumentin se kanë performancë të dobët. Mes tyre përmendet edhe Bashkia e Skraparit. Nëse ky është kriteri, atëherë pyetja e parë nuk duhet të jetë pse Skrapari ka pak banorë apo të ardhura të ulëta. Pyetja e vërtetë është: kush e solli Skraparin në këtë gjendje?
Një trevë nuk mund të gjykohet vetëm nga bilancet financiare. Aq më pak një trevë si Skrapari, që mbart një nga historitë më të lashta të Shqipërisë. Kjo nuk është thjesht një bashki. Është një territor ku gjurmët e jetës njerëzore nisin që në prehistori, një muze i hapur i historisë, kulturës dhe natyrës shqiptare. Në Skrapar ndodhet stacioni prehistorik i Vlushës, një dëshmi e hershme e vendbanimeve njerëzore që daton rreth 10 mijë vjet më parë. Në këtë trevë gjenden qytetet ilire të Bargulit dhe Orgesës, kala të lashta, shpella si ajo e Pirogoshit, shpella e Kuçedrës në Bogovë dhe një trashëgimi arkeologjike që ende nuk është studiuar plotësisht. Çdo gur i këtij vendi flet për qytetërimin ilir dhe vazhdimësinë e jetës në këto troje.
Por Skrapari nuk është vetëm histori. Ai është edhe natyrë e rrallë. Mali i Tomorit, mali mitik i shqiptarëve, ngrihet si simbol i identitetit dhe besimit të kësaj treve. Kanioni madhështor i Osumit është një nga mrekullitë natyrore më të njohura të vendit. Dhjetëra e qindra monumente natyrore e bëjnë Skraparin një pasuri kombëtare që nuk mund të matet me statistika administrative.
Po aq e çmuar është edhe trashëgimia shpirtërore. Polifonia toske, me ne krye artistin virtuoz dhe të pa përsëritshëm, Demir Zyko. Polifonia toske mbetet një nga format më të lashta të këngës tradicionale shqiptare, që vazhdon të ruhet brez pas brezi në këtë trevë. Ajo përfaqëson një identitet kulturor që ka mbijetuar ndër shekuj dhe është pjesë e trashëgimisë kulturore të njohur ndërkombëtarisht. Kultura nuk matet me numrin e banorëve, por me vlerën që i jep historisë së një kombi.
Ironia më e madhe është se sot Skrapari akuzohet për mungesë zhvillimi, ndërsa për dekada politika e la në harresë. Nuk ishin banorët e Skraparit që boshatisën vendin. Ishin mungesa e investimeve, papunësia, emigracioni i detyruar dhe politika që i detyroi njerëzit të largoheshin. E njëjta politikë që për vite me radhë përfitoi nga pasuritë e këtij vendi, pasuroi politikanë dhe klientelën e tyre, ndërsa Skrapari mbeti me rrugë të braktisura, fshatra të zbrazur dhe një ekonomi të lënë pas dore. Skrapari është grabitur barbarisht si nga burimet natyrore dhe ato njerëzore. Kujtojmë këtu dhjetra leje minerare të dhëna nga qeveria e djathë dhe të firmosura nga ish ministri Genc Ruli për shfrytëzimin e Parkut Kombëtar të malit të Tomorit për gurin dekorativ. E që më pas u kthye në një katastrofë mjedisore dhe po ta shohësh tani atë pjesë të malit të këput shpirtin. Mos flasim për minierat e mermerit në Mëlovë apo me dhjetra hidrocentrale që pas tyre dihet kush fshihet. Politika.
Pra, nuk mund ta varfërosh një trevë për dekada dhe më pas ta ndëshkosh pikërisht për pasojat e kësaj varfërie. Nuk mund t’i marrësh njerëzit, t’i detyrosh të largohen dhe më pas të thuash se territori nuk ka më arsye të ekzistojë si njësi administrative.
Nëse sot Skrapari ka probleme, ato nuk janë rezultat i historisë së tij, por i politikave që e lanë në harresë. Historia nuk është përgjegjëse për dështimin e qeverisjes.
Një vend që ka ruajtur 10 mijë vjet qytetërim, që mbart trashëgimi arkeologjike, kala, qytete ilire, monumente natyrore, malin e shenjtë të Tomorit, Kanionin e Osumit, Shpellën e Pirogoshit dhe tradita të rralla kulturore siç është edhe polifonia toske, nuk mund të zhduket nga harta territoriale me një vendim administrativ.
Sepse bashkitë mund të reformohen, por historia nuk shkrihet. Kufijtë administrativë mund të ndryshojnë, por identiteti i një treve nuk mund të fshihet. Skrapari nuk është një problem për t’u eliminuar; është një pasuri kombëtare që duhet mbrojtur, zhvilluar dhe respektuar.
Nëse Shqipëria nis të fshijë nga harta trevat me historinë më të lashtë, atëherë nuk po reformon administratën. Po fshin kujtesën e saj.
