Kremlini deklaron se do të bëjë gjithçka për të mbrojtur një shtetas rus, i cili rrezikon ekstradimin drejt Ukrainës, nën akuzat për grabitje të objekteve historike në Krime.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do të ofrojë mbështetje të plotë ligjore për arkeologun rus, Alexander Butyagin, i cili përballet me procedura gjyqësore jashtë vendit.
Sipas autoriteteve ukrainase, Butyagin akuzohet për përfshirje në gërmime të paligjshme dhe grabitje të artefakteve historike në gadishullin e Krimesë, territor i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
Peskov u shpreh kritik ndaj procesit gjyqësor, duke deklaruar se gjykata polake që po shqyrton çështjen është “qartësisht pro-ukrainase”.
“Ne do të bëjmë gjithçka të mundur për të ndihmuar qytetarin tonë dhe për të mbrojtur interesat e tij ligjore,” u shpreh ai.
Rasti pritet të rrisë më tej tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa çështjet që lidhen me Krimenë mbeten një pikë e nxehtë përplasjesh mes dy vendeve./mxh
