Shqipëria do të ndikohet këtë të martë nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme, ndërsa moti pritet të ndryshojë gradualisht gjatë pjesës së dytë të ditës.
Sipas parashikimeve, orët e paradites do të karakterizohen nga mot i kthjellët në të gjithë territorin. Pas mesditës, priten alternime të vranësirave mesatare, të cilat herë pas here do të bëhen të dendura.
Nga mesdita deri në orët e pasdites, reshje shiu me intensitet të ulët do të përfshijnë pjesën më të madhe të vendit. Në zonat malore parashikohen shtrëngata afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike, ndërsa në Ultësirën Perëndimore priten reshje të dobëta, me përjashtim të vijës bregdetare.
Era do të fryjë kryesisht nga verilindja dhe veriperëndimi me një shpejtësi mesatare prej 7 metrash në sekondë.
Ndërkohë, deti Adriatik dhe ai Jon do të kenë valëzim të forcës 1 deri në 3 ballë, duke krijuar kushte të favorshme për lundrim./Kb
