Last Updated on 26/05/2026 by EL
Shkrimtarja dhe poetja Mimoza Ahmeti, e cila aktualisht është pjesë e një reality show televiziv, ka bërë një rrëfim emocional përmes të cilit ka hedhur dritë mbi takimin traumatik me dajën e saj pas daljes nga burgu, si edhe mbi figurën e xhaxhait të saj, Sadri Ahmeti.
“Kur erdhi në shtëpi, ne ngrimë, se kishte qenë në burg. Edhe më thotë mua “hajde këtu te unë”. Më merr më vë në gjunjë. “E do ti dajën” më tha mua, unë ngriva se mami dhe babai ishin aty. “Hë moj thuaje e do dajën apo jo”, unë vdiqa. “Po fol moj fol”, thoshte. Nuk e harroj sa të vdes”, ka rrëfyer ajo.
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zbulon se veç dajës, xhaxhai i saj Sadri Ahmeti, ka qenë piktor, poet dhe një nga akuarelistët më të vlerësuar shqiptarë.
Ai u arrestua si student në Akademinë e Arteve dhe u dënua me burg e internim, nga minierat e Spaçit deri në kantieret e Elbasanit. Mik i afërt i Bilal Xhaferri, ai njihej për guximin e fjalës dhe shpirtin e lirë në një kohë kur arti dhe mendimi ndëshkoheshin.
Historitë e persekutimit dhe plagët e heshtura të familjeve shqiptare po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e formateve publike dhe ekranit. Ato vijnë jo vetëm si rrëfime personale, por edhe si dëshmi se shoqëria nuk harron.
Përmes zërave të figurave publike, kujtesa rikthen në vëmendje plagë të padukshme për dekada që ende shqetësojnë.
“Çdo dëshmi, dokument, fotografi apo kujtim mbi Spaçin dhe të përndjekurit politikë mbetet një kontribut i çmuar për të vërtetën historike. Ndaj ftojme familjarë, ish të dënuar, studiues dhe qytetarë të kontribuojnë me dëshmi dhe materiale që ndihmojnë dokumentimin e kujtesës së Spaçit dhe historive që nuk duhet të harrohen”, thotë Autoriteti i Dosjeve./ET
